Drita e vendosur ta mbajë pozitën e parë, llogarit në fitore ndaj Llapit


Te skuadra e Dritës janë të vendosur që pozitën e parë në tabelë ta mbajnë edhe pas xhiros së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll. Për ta bërë këtë, Drita duhet ta mposhtë skuadrën e Llapit, të shtunën.

Ndeshja Drita – Llapi nis në orën 13:00 dhe luhet në stadiumin e qytetit në Gjilan. Aktualisht Drita prin në tabelë me 37 pikë të mbledhura, një më shumë se Ballkani e Gjilani. Ndërsa Llapi zë vendin e katërt me 32 pikë.

Mbrojtësi i krahut të majtë, Ilir Blakçori, ka insistuar se Drita është e gatshme për këtë përballje. Ai ka pranuar se Llapi është kundërshtar shumë i fortë, por ka shtuar se synimi i Dritës është që të dalë me një rezultat të favorshëm nga fusha. Blakçori ka qenë futbollist i Llapit, përpara se të transferohej te Drita. Skuadra nga Gjilani do të jetë e kompletuar, ndonëse në dyshim mbetet mesfushori Muharrem Jashari.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi Llapi ka një ekip cilësor me lojtarë të dëshmuar në Superligë. Do të mundohemi t’i kryejmë detyrat ashtu siç kemi punuar gjatë tërë javës. Jemi të përgatitur dhe të freskët edhe nga faza përgatitore, e cila na ka ndihmuar shumë. Kemi analizuar kundërshtarin dhe do të mundohemi t’i shfrytëzojmë ato pika më të dobëta dhe hapësira që mund të na krijohen gjatë lojës. Shpresoj që të japim maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv në një derbi si ky”, deklaroi Blakçori.

Drita në xhiron e shkuar triumfoi thellë në udhëtim te Feronikeli me rezultatin 7:0, ndërsa është në seri prej katër fitoreve rresht.

Edhe Llapi e nisi stinorin pranveror me fitore, duke e mposhtur 2:1 javën e shkuar skuadrën e Ulpianës. Llapi nuk di për humbje në tetë ndeshjet e fundit. Humbjen e fundit Llapit ia ka shkaktuar pikërisht Drita, që e mposhti 3:1 në kuadër të xhiros së 11-të.

Edhe Llapi do të jetë i kompletuar për këtë ndeshje. Trajneri Tahir Batatina ka konfirmuar se në ekip është përfshirë edhe sulmuesi nga Gana, Latif Amadu.

“Ndeshja ndaj Dritës ka një përshtypje të veçantë. Djelmoshat janë të motivuar maksimalisht. Do ta bëjmë maksimumin. Kemi arritur të marrim fitore në ndeshjen për Kupë ndaj Ferizajt dhe në kampionat ndaj Ulpianës. Nuk kemi presion, do të shohim si do të shkojë ndeshja. Por ne jemi të motivuar për të dhënë gjithçka nga vetja”, tha Batatina.

Të shtunën luhet edhe një ndeshje tjetër. Në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan skuadra e Ulpianës e pret Malishevën. Ulpiana, që nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit, renditet e parafundit në tabelë me 18 pikë, katër më pak se Malisheva që zë vendin e shtatë.

Ndërkohë të dielën do të luhet edhe një tjetër derbi. Në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Prishtina e pret skuadrën e Ballkanit.

Prishtina do të luajë si nikoqire në Podujevë për shkak se në stadiumin “Fadil Vokrri” po kryhen punime në fushë. Kampionia në fuqi pranverën e nisi me humbje. Pësoi në udhëtim nga Malisheva me rezultatin 2:1. Ka 24 pikë dhe zë vendin e pestë në tabelë.

“E kemi parasysh se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne jemi maksimalisht të motivuar dhe do të bëjmë të pamundurën për të fituar”, ka paralajmëruar mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi.

Ballkani nisi fuqishëm nën urdhrat e trajnerit Ilir Daja. E mposhti në Suharekë skuadrën e Dukagjinit me rezultatin 4:1. Fitore synon edhe në Podujevë ndaj Prishtinës. Kjo ndeshje nis në orën 13:30 dhe e mbyll xhiron e 20-të në elitën e futbollit kosovar.

“Nuk do të jetë aspak lehtë, sepse përballemi me kampionen në fuqi. Përkundër që nuk ka pasur një formë të mirë, Prishtina mbetet ndër skuadrat më cilësore në Superligë dhe për këtë arsye do të jetë shumë vështirë për ne. Jemi përgatitur mirë dhe do të futemi të motivuar për ta arritur qëllimin që ia kemi vënë vetes, të marrim një rezultat pozitiv. Por kjo mund të arrihet vetëm me angazhimin e të gjithë skuadrës”, ka thënë Armend Thaqi.

Superliga – 20

E shtunë

Drita – Llapi (13:00)

Ulpiana – Malisheva (13:00)

E diel

Dukagjini – Drenica (13:00)
Feronikeli – Gjilani (13:00)

Prishtina – Ballkani (13:30)

1. Drita 19 11 4 4 29:11 37

2. Ballkani 19 10 6 3 26:11 36

3. Gjilani 19 9 9 1 24:14 36

4. Llapi 19 9 5 5 30:21 32

5. Prishtina 19 6 6 7 23:19 24

6. Drenica 19 7 3 9 23:23 24

7. Malisheva 19 6 4 9 19:21 22

8. Dukagjini 19 3 9 7 14:23 18

9. Ulpiana 19 4 6 9 17:32 18

10. Feronikeli 19 3 2 14 5:31 11.0