Drekat, biletat dhe akomodimet – këto janë të gjitha shpenzimet e kryeministrit Hoti

Mbi 25 mijë euro janë shpenzuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe kabineti tij në dreka, bileta, akomodime, taksi, telefon e derivate që nga 3 qershori e deri më 30 shtator, raporton Gazeta Express.

Rreth 1 mijë euro i kushtuan drekat zyrtare të parit të ekzekutivit i cili tha se për drekë merr me vete sandviç nga shtëpia në zyrë.

Ndërsa jashtë shtetit, drekat që i ka ngrënë shefi i Qeverisë kapin shumën prej 3 mijë e 92 euro. 

Bazuar në të dhëna faturat, kryeministri ka shpenzuar plot 6 mijë e 7 euro në akomodim dhe 3 mijë e 797 euro të tjera në bileta. 

247 euro e 94 cent Hoti i shpenzoi në telefonata ndërsa 433 euro e 92 cent i shpenzoi në derivate.

Zëvendësi i tij, Driton Selmanaj kishte thënë se kryeministri i Kosovës nuk e harxhon buxhetin e Kosovës, madje ai edhe bukën e merr nga shtëpia. 

“Na e kemi nje kryeministër i cili bukën e merr me vete nga shtëpia. Kryesisht merr sandviça me bukë të zezë dhe e han në zyrë. Bile nganjëherë më thotë zëvendës a po do ti?”, kishte deklaruar Selmanaj.

I pyetur se çka ka ngrënë për drekë, kreu i ekzekutivit ishte përgjigjur: “sandviç si përditë”.