Milot Rashica është bërë njëri nga lojtarët më të përfolur për afatin kalimtar veror.
Ylli kosovar pritet të largohet nga Werder Bremen, pasi shumë skuadra kanë shprehur interesim për të.
RB Leipzig, Borussia Dortmund e Schalke 04 e duan në Bundesliga, teksa skuadrat si Liverpool, Aston Villa, Southampton, West Ham United apo Wolves në Angli.
Megjithatë të gjitha skuadrat kanë shprehur vetëm interesim për lojtarin dhe ende nuk ka ndonjë ofertë zyrtare.
Së paku kështu ka konfirmuar drejtori sportiv i klubit gjerman Werder Bremen, Frank Baumann.
“Deri në këto momente asnjë skuadër nuk ka bërë ofertë zyrtare për Rashicën me të cilën do të merreshim”, ka deklaruar Baumann për NDR2.
Megjithatë Baumann ka deklaruar se e di që lojtarët si Rashica janë në listën e klubeve të mëdha. “Unë pres që tregu i transferimeve të hapet më vonë për shkak të krizës që ka kapluar klubet nga koronavirusi”.
“Megjithatë e di që lojtarët si Miloti janë në listën e skuadrave të mëdha që luajnë rregullisht në Ligën e Kampionëve”, u shpreh Baumann.
Rashica ka një klauzolë largimi prej 38 milionë eurove, që vlen vetëm për skuadrat jashtë kufijve të Gjermanisë.
Megjithatë në rast se Werder Bremen bie nga Bundesliga, atëherë vushtrriasi ka një tjetër klauzolë që e lejon largimin e tij për 15 milionë euro.
23-vjeçari ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar pesë asistime në 24 ndeshjet zyrtare të Werderit këtë edicion. /Telegrafi/