Një muaj më parë, dy drejtorë në Postën e Kosovës ishin rrahur në vendin e punës për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre. Për këtë ata ishin marrë në pyetje nga Policia e Kosovës dhe ishin suspenduar nga vendet e punës. Posta ka krijuar edhe një komision disiplinor, por i cili nuk ka marrë masa sipas ligjit, por që palët të përfshira në konflikt kanë shtrirë dorën e pajtimit thuhet në vendimin e këtij komisioni të cilin e ka siguruar www.gazetastop.com.
Vedat Tahiri, Drejtor i Shërbimeve Postare, nuk është përgjegjës dhe lirohet nga përgjegjësia disiplinore. Komisioni thekson se Tahiri ka kërkuar falje në mbledhjen e mbajtur më 1 shtator 2020 dhe se ka thënë se incidenti me kolegun e tij ka ndodhur në afekt.
Se vendimi i komisionit disiplinor të Postës së Kosovës për incidentin e datës 6 gusht është i dyshimtë kanë treguar edhe burimet e Gazeta Stop, pasi që kryetari i këtij komisioni, Ferki Maxhuni është punëtorë i drejtorit Tahiri.
Madje sipas vendimit Vedat Tahiri ka shpëtuar pa ndonjë vërejtje për rrahjen në vendin e punës me kolegun e tij.
Por, ditën e rrahjes menaxhmenti i Postës së Kosovës përveç që kishte konfirmuar rrahjen, ata nëpërmjet një komunikate për media kanë premtuar marrjen e masave disiplinore.
Dy drejtorë në Postën e Kosovës kacafyten e fjalosen mes vete
“Sot paradite në objektin e administratës qendrore të Postës së Kosovës, ka ndodhur një incident i vogël i fjalosjes dhe kacafytjes në mes të dy drejtorëve të menaxhmentit të ndërmarrjes”, ishte thënë në njoftim.
“Menaxhmenti i ndërmarrjes, do të ndërmarrë masat disiplinore gjatë ditëve në vijim, sipas rregulloreve të brendshme të ndërmarrjes dhe ligjeve në fuqi”, ishte theksuar në komunikatën për media të Postës së Kosovës.