Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku dhe Venhar Hana janë pritur në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial i Kosovës Bahri Hyseni.
Në takim, është diskutuar lidhur me mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet KPK-së dhe SHSK-së përmes një memorandumi, ku kompanitë e sigurimit do të kenë qasje në dokumentacionin përkatës të punuar nga Prokuroritë e vendit lidhur me veprimet që ndërmerren në rastet e aksidenteve.
Po ashtu, është diskutuar lidhur me çështjen e angazhimit të ekspertëve në procedurë penale për vlerësimin e lëndimeve trupore në aksidente të komunikacionit, ku është kërkuar edhe rritja e nivelit të përgjegjësisë së profesionistëve mjekësor ashtu që me saktësi të vlerësohen situatat e krijuara dhe në mënyrë të qartë të evidentohen të dëmtuarit dhe pjesëmarrësit tjerë në aksidente të komunikacionit.
Iniciativa për themelimin e këtij bashkëpunimi është përkrahur nga Kryesuesi i KPK-së Hyseni, i cili theksoi se në vijim do të punohet për modalitetet e këtij bashkëpunimi ashtu që të vihet në zbatim sa më mirë legjislacioni në fuqi.