Rreth 4 orë kanë qëndruar tre zyrtarë të Gjykatës Speciale në ambientet e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Vizita e tyre u bë për t’i marrë dosjet që OVL pretendon se dikush nga Specialja i ka nxjerrë dhe i ka sjellë në zyrat e tyre.
Për dallim nga hera e kaluar, kur dosjet kjo organizatë i kishte dorëzuar menjëherë tek personat nga kjo gjykatë posa i ishin kërkuar, kësaj radhe dorëzimi nuk u bë pa e siguruar praninë e avokatit Tomë Gashi, i cili përfaqëson këtë organizatë.
Disa minuta pas, ata morën dosjet dhe u larguan.
Pas takimit, zyrtarët e Organizatës së Veteranëve thanë që tashmë është konfirmuar që dokumentet që i kanë, janë të Speciales.
Si dëshmi kanë ofruar një shkresë që këta zyrtarë ua lanë, e të cilën KOHA nuk do ta publikojë për shkak se është e shënjuar si rreptësisht konfidenciale, derisa hetimi është duke u kryer nga njeriu kyç i Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Kjo është hera e dytë kur dikush i paidentifikuar sjell dokumente në zyrat e OVL-së.
Deri tani institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim hetimor për zbulimin e këtij rasti.
Avokati Tomë Gashi thotë që një gjë e tillë as që është e nevojshme.
“Kryetari tha më herët se nuk do t’i dorëzojë këto dokumente te zyrtarët që janë duke ardhur për herë të dytë, mirëpo unë e kam këshilluar ta bëjë meqenëse tani është vërtetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, se këto dokumente janë faktikisht të Gjykatës Speciale dhe askush nuk mund të ketë aludime se këto janë duke u prodhuar nga dikush në mbrojtje të dikujt, të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, por ky dokumentacion e ka vërtetuar që kemi të bëjmë me dokumente origjinale të Gjykatës Speciale që hetuesit i kanë marrë dhe kjo është krejtësisht në harmoni me ligjin. Ky dokumentacion i përket Gjykatës Speciale. Në momentin që i kemi logot e Gjykatës Speciale në origjinalë dhe ky dokumentacion e pranojnë se janë të tyre dhe nuk ka asnjë arsye që të implikohet as Policia e Kosovës, as Prokuroria e Kosovës, sepse ky material nuk i përket asnjërës nga prokurorive të Kosovës, as policisë dhe as gjykatave të Kosovës”, ka thënë Gashi.
Dhomat e Specializuara për Kosovën me seli në Hagë ende nuk kanë njoftuar publikisht konfirmimin e ndonjë aktakuze të Prokurorisë.
Një e tillë, që përfshin presidentin e vendit, Hashim Thaçi, dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veseli, pret që të shkojë ose jo në gjykim kryesor dhe vendimi për këtë mund të merret deri në fund të tetorit.