Është dorëzuar në Policinë e Kosovës Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, ku dyshohet se shkuan rreth 2.1 milionë euro të shtetit, të transferuara nga Thesari.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express dhe T7, vëllai i tij, Bedri Shala.
“Para gjysmë ore është dorëzuar vetë në Polici, përkatësisht te njësiti për Krime Ekonomike”, ka deklaruar vëllai i Kadri Shalës, Bedriu.
Për herë të parë nga arratia, Kadri Shala u lajmërua mbrëmjen e së shtunës. Përmes vëllait të tij ai kishte dorëzuar një letër të shkruar me dorë ne redaksinë e Gazetës Express dhe Televizionit T7. Në këtë letër që mban datën 24 tetor 2020, Shala ka treguar historinë se si ka përfunduar një shumë kaq e madhe e parave nga buxheti i shtetit në llogarinë e firmës së tij.
“Diku rreth orës 3 kam shkuar në bankomat të TEB Bankës në Prizren për t’i tërhjekur një shumë të mjeteve për nevojat e mija përsonale nga llogaria e firmës të cilës jam përfaqësues, LDA Gruop, pasi në llogari kam pasur mjete të mjaftueshme afërsisht 20 000 euro. Në atë moment kam vërejtur se shuma në llogari ishte mbi vlerën të cilën e kam pasur.
“Nga ai moment kam menduar se kam pranuar mjete nga kompanitë me të cilat kam punuar por nga përmbaruesit të cilët i kam angazhuar për kompanitë të cilat më kanë obligime”, shkruan Shala në letrën e tij.
Më pas, Shala posa ka marrë këto para thotë se ka nisur t’i shlyej borxhet që ua kishte personave apo kompanive.
“Dhe kështu kam menduar që t’i fshij obligimet që i kam ndaj personave fizik dhe juridik gjegjësit firmave që u kam pasur obligim”.
Ai ka thënë se familjarët e tij që janë përmendur nga mediat nuk kanë qenë në dijeni për veprimet e tij.
“Të dashura media, këtu asgjë politike nuk ka mirëpo përfshirja e familjes sime, fëmijëve të mi të cilët as nuk kanë qenë në dijeni apo s’kanë kurrfarë lidhje me rastin, përfshirja e personave juridik dhe fizik ka qenë e tmerrshme, jo etike pa e ditur saktësisht thelbin”.
Në këtë rast, Shala u ka kërkuar falje familjes dhe të gjithë atyre që janë etiketuar.
“Shfrytëzoj rastin t’i kërkoj falje familjes, fëmijëve dhe të gjithë atyre të cilët i kanë etiketuar e që nuk kanë pasur njohuri rreth situatës”.
Në fund kësaj letre, themeluesi i kompanisë “LDA Group” kishte paralajmëruar se do të dorëzohej në Polici.
“Për momentin jam jashtë vendit dhe brenda 2-3 ditësh do të lajmërohem të organet kompetente” , ka njoftuar Shala I cili njëkohësisht ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me punëtorin e Thesarit Labinot Gruden, i cili u arrestua me dyshimin se ka bërë transaksionin e pareve në kompaninë LDA-Group.
“P.S asgjë dhe asnjëherë nuk kam punuar në institucione shtetërore dhe as që kam lidhje me punëtorët e ministrisë apo thesarit”, përfundon letra e Shalës. /Gazeta Express/