Një kërkesë nga VMRO-DPMNE, partia opozitare në Maqedoni, bëri që BDI-ja të shprehë gatishmërinë për të dhënë dorëheqje nga qeveria në mënyrë që t’i hapet rruga ndryshimeve kushtetueve dhe integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Artan Grubi, Bujar Osmani, Kreshnik Bekteshi, Fatmir Besimi dhe Jeton Shaqiri i dorëzuan dorëheqjet kryeministrit Dimitar Kovaçevski, bëri të ditur lideri i BDI-së Ali Ahmeti. Sipas tij, dorëheqjet do të konfirmohen në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese.
“Duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh, duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do to të votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria. Ne ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japim dorëheqje nga postet që aktualisht jemi duke i ushtruar! Dorëheqjet, z. Kryeministër, efektuohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese”, tha Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.
Ahmeti shtoi se zgjedhjet janë në pranverë dhe se ata shumë shpejt do të kthehen. Madje deklaroi se do të arrijnë të marrin 30 deputetë.
Me dorëheqjen e ministrave shqiptarë, atëherë pamundësohet edhe zgjedhja për herë të parë e një kryeministri shqiptar në Maqedoni ashtu siç ishte me marrëveshjen e BDI-së me LSDM-në.
Artan Grubi, zv/kryeministër, deklaroi se këtë e kanë bërë për hir të integrimit të Maqedonisë.
“Në qoftë se ne shkojmë në opozitë, me çrast, opozita do i kishte votuar ndryshimet kushtetuese, pasi që nevoiten 2/3 në Kuvend, ne kemi thënë që për të ardhmen e vendit tonë, jemi të gatshëm të ngrejmë dorë edhe nga qeveria e përkohshme, edhe nga kryeministri shqiptar, edhe nga mandatet tona. Çdo gjë që është marrëveshje politike e koalicionit, ne heqim dorë vetëm me kusht që opozita maqedonase ti votojë ndryshimet kushtetuese” tha Grubi për T7.
Reaguan nga VMRO-DPMNE. Nga atje për TV21 thonë se është mirë që BDI po shkon në opozitë, por nga partia e Mickoskit kërkojnë edhe zgjedhje të parakohshme.
“Mirë është që BDI pas 20 viteve qeverisje është e gatshme të shkojë në opozitë, nga ku do të mund të përgjigjen për krimet dhe ta dëshmojnë pafajësinë e tyre. Tani që BDI e bëri hapin e parë, dhanë dorëheqje, tani ato vetëm jenë të parevokueshme dhe të shkojmë në zgjedhje të shpejta, sepse gjithçka tjetër është zvarritje dhe lojëra në kurriz të shtetit dhe ardhmërisë së qytetarëve”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Ndryshe pas takimit që patën dy liderët Hrisitijan Mickoski dhe Dimitar Kovacevski, lideri i VMRO DPMNE-së deklaroi se do t’i votojë ndryshimet kushtetuese nëse pjesë e Qeverisë nuk do të jetë BDI. Por pas përgjigjes pozitive të BDI-së, Mickoski më pas nxori edhe kushte tjera dhe vazhdon edhe më tutje me qëndrimin e tij, se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese, sepse siç thotë ato janë nën diktatin bullgar.
Reagime pati edhe nga partia Alternativa, subjekt tjetër shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Dyfytyrësia e sotme e Ahmetit, Grubit dhe klaneve të tyre dëshmon për disa gjëra. E para, se shumica parlamentare është shumë larg nga 2/3 e shumicës për ndryshimet e dëshiruara kushtetuese. E dyta, Ahmeti, Grubi dhe klanet e tyre dëshmuan se janë në panik për atë që pason. E treta, pas një skenari të PR-it të heroizmit të rrejshëm, tashmë të parë, sikurse “Pse jo”, përsëri po tentojnë që ta defokusojnë opinionin nga njollat e tyre korruptive dhe politike. AlternAtiva porosit, zhytuni në baltën tuaj edhe pak, sepse pas zgjedhjeve parlamentare, kurdo që të ndodhin ato, do të jepni llogari para organeve gjyqësore për të gjitha padrejtësitë e bëra ndaj popullit shqiptar. Ora po ecën!”, thonë nga Alternativa.
Ndërkohë në reagimin e LSDM-së, thuhet se BDI-ja duke vënë interesin e shtetit para interesit partiak, tregoi përgjegjësi ndaj qëllimit kryesor strategjik, të ardhmes evropiane të vendit dhe të gjithë qytetarëve.
“Hristijan Mickoski është në lëvizje për të treguar dhe vërtetuar nëse ka kapacitetin e një burrshtetasi, nëse i intereson e ardhmja evropiane e vendit. Vota për amendamentet kushtetuese është votë për Evropën, për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Tash pritet nëse do të votohen ndryshimet kushtetuese.