Pas dorëheqjes, si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, së Gent Cakaj, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish Ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacollit dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Pacolli nëpërmjet një reagimi në Twitter i shprehu falënderimet Cakaj për punën e shkëlqyer të bërë në krye të diplomacisë shqiptare, si dhe suportin ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare. Më tej, Pacolli shprehu mirënjohjen për miqësinë dhe bashkëpunimin me Cakaj.
Nga ana tjetër, në Facebook, Haradinaj-Stublla theksoi se me Gentin e Kosovës dhe Kryediplomatin e Shqipërisë, kanë ndërtuar, ruajtur, dhe kultivuar raporte të shëndosha e të forta bashkëpunimi ndër-shtetërore e ndër-shqiptare, duke ndihmuar njëri-tjetrin, dhe duke u angazhuar bashkë dhe sinqertë për fuqizimin e interesave shqiptare në rajon e më gjerë.
Sipas Ministres Haradinaj-Stublla me dorëheqjen e Cakaj, Kosova dhe shqiptarët në rajon do ta ndjejnë mungesën e një krahu të fortë përkrahjeje institucionale në Qeverinë aktuale të Shqipërisë.