Dolën për t’i rivendosur pikat e kuqe të protestës në shesh, Policia ndalon 4 persona

Policia e Kosovës ka konfirmuar se sot në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, katër persona kanë thyer rregullat e Ministrisë së Shëndetësisë kur kanë vënë shenja të kuqe në shesh. Të njëjtit nuk kishin marrë as leje për të shënjuar sheshin kryesor të Prishtinës me pika të kuqe.

Katër persona kanë shpërfillur vendimet e Qeverisë kur kanë vendosur të bëjnë shenja të kuqe në sheshin kryesor të Prishtinës, si parapërgatitje për protestat e paralajmëruara nga Lëvizja Vetëvendosje në rast se Albin Kurti largohet nga pozita e Kryeministrit të shkarkuar.

Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës. “Sot, më 16.05.2020, në ora 10:40, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, patrulla policore ka ndaluar katër persona. Gjatë kontrollit të letërnjoftimeve, është parë se të njëjtin kishin dal pa përfillur kohën e daljes bazuar në vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë”, kanë thënë Zyra e Informimit e Policisë për Express.

Policia tha po ashtu se ka informuar inspektorët sanitarë të komunës së Prishtinës për këtë rast.

“Policia ka thirrur Inspektorët Sanitarë të komunës së Prishtinës që të dalin në shesh për të ndërmarrë veprime ligjore”, thanë nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri tha për Express inspektorët sanitarë janë nga AVUK dhe jo nga komuna e Prishtinës.

“Inspektorët sanitarë janë nga AVUK, nuk janë inspektor komunal. Ata bashkë me Policinë e Kosovës, marrin masa ndaj personave fizik lidhur me shkeljen e vendimeve të kohës”, tha ai.

Tutje, Tahiri konfirmoi se të njëjtit nuk kanë marrë leje për këtë aksion në Komunën e Prishtinës

“As herën e parë, as tash nuk kanë marrë leje për diçka të tillë” , shtoi ai.

Para katër ditësh disa aktivistë të shoqërisë civile kishin vendosur pika të kuqe në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku më pas u panë mbi 400 persona të cilën ata e quajtën provë për protestë.

Për një tubim të tillë nuk ishte marrë leje nga Policia e Kosovës, dhe të njëjtën e kishte konfirmuar edhe Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

“Nuk kanë pasur leje, nuk ka qenë e lajmëruar”, ka thënë Qalaj për Express

Kjo provë për protestë ishte përkrahur nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të qeverisë në detyrë.