Dolën në mbështetje të Ukrainës, policia ruse arreston 900 protestues

Më shumë se 900 persona janë arrestuar këtë të diel nga policia në Rusi, pas protestave që u organizuan në 44 qytete kundër luftës me Ukrainën.

Protestat e ditës së sotme përkojnë edhe me përvjetorin e shtatë të vrasjes së politikanit të opozitës Boris Nemtsov. Sipas Reuters, disa nga arrestimet u bënë në një memorial të improvizuar jashtë Kremlinit në vendin ku u qëllua Nemtsov.

Nemtsov ishte një kritik i njohur i Presidentit Vladimir Putin. Ai ishte kundër aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014 dhe mbështetjes së Moskës për separatistët pro-rusë në Ukrainë, gjë që përfundimisht çoi në atë që Putin e quajti një “operacion special” për të mbrojtur dy rajonet separatiste.