U desh vetëm një shaka që vlera e dogecoinit, njërës prej kriptovalutave më të popullarizuara në botë, të rrënohej për 30 për qind.
Kjo kriptovalutë, e cila është nisur faktikisht nga një shaka në mediat sociale rreth tetë vjet më parë, ka humbur më shumë se një të tretën e çmimit të vet, pasi që Elon Musku, njëri prej burrave më të kamur në botë dhe mbështetësi më i shquar i dogecoinit, e quajti valutën digjitale si “nxitim” gjatë paraqitjes së tij në shfaqjen komike televizive “Saturdat Night Live”, fundjavën e shkuar.
Rënia e thuktë ishte zhgënjim për entuziastët e dogecoinit, të cilët për një javë rresht kanë pritur paraqitjen e Muskut si mysafir në emisionin e popullarizuar. Vlera e dogecoinit kishte prekur shifër rekord të lartë para transmetimit të emisionit, pasi që adhuruesit organizuan “ahengje shikimi” në pritje të ngritjes së theksueshme të kriptovalutës falë paraqitjes së Muskut.
“Musk është mbase i lumtur që e bëri këtë shakanë rreth asaj se çfarë është valuta, por investuesit tani janë duke ndjerë dhembje reale”, ka thënë Justin d’Anethan, shef me seli në Hong-Kong të shitjeve në Diginex, një këmbimore kjo e aseteve digjitale. “Furnizimi është faktikisht i pakufizuar (për dogecoin) dhe kësisoj edhe i paqëndrueshëm në aspektin afatgjatë. Çështja është se kush do të shesë i pari dhe kush do të mbetet duke i bartur valixhet”.
Interesimi për kriptovaluta është rritur gjatë disa vjetëve të fundit, duke e çuar vlerën e të gjitha monedhave digjitale në mbi 1.9 biliardë euro, mbështetur nga biliardë dollarët ndarë si stimulim nga Qeveritë dhe Bankat Qendrore, si dhe mbështetjeve nga disa investitorë institucionalë.
Derisa bitcoini, kriptovaluta më e çmuar deri më tani, ka rënë dukshëm nga qendra e vëmendjes dhe ka përjetuar rënie të dukshme, teksa të ashtuquajturat nënvaluta të saj, si eteriumi dhe dogecoini, kanë marrë primatin gjatë ditëve të fundit.
Çfarë qëndron prapa popullaritetit në ngritje të dogecoinit?
Nuk ekziston ndonjë shpjegim i lehtë për ta përshkruar shtegun e ngritjes së çmimit për dogecoinin, i cili ishte krijuar më 2013 si një shaka rreth furisë për kriptovalutën që ka qenin e racës Shiba Inu në logo. Vërshimi i keshit falë planeve qeveritare të stimulimit, spekulimet e mbërthyera me frikën prej humbjes, mbështetja e vendosur nga Musku dhe disa shaka online, janë vetëm disa prej shkaqeve që kanë qëndruar prapa avancimit si prej ëndrre të dogecoinit, që ka shënuar rritje të vlerës prej më shumë se 20.000 për qind gjatë vitit të shkuar.
“Mania rreth dogecoinit ka nisur fillimisht me tregtarët me pakicë, të cilët vinin prej platformave të medias sociale. Komuniteti i tregtisë me pakicë dukej i bindur se dogecoini do të shkonte përtej 1 dollarit dhe për shumëkënd, kjo gjë as që kishte ndonjë rëndësi”, ka thënë Edward Moya, analist i lartë tregu në Oanda.
“Mbështetjet prej Elon Muskut dhe Mark Cubanit kanë ofruar një justifikim për investuesit e shumtë e të hershëm dhe ka gjeneruar entuziazmin më të fundit”.
Në një shtysë të madhe për dogecoinin, kompania e raketave komerciale e Muskut “SpaceX” ka pranuar pagesa për një mision satelitor në hënë me anë të kriptovalutave. Misioni i financuar nëpërmjet dogecoinit i planifikuar për vitin 2022 quhet “DOGE-1 Mission to the Moon”.
A është dogecoini, BREXIT-i i radhës?
Kjo, në fakt, ishte njëra prej pyetjeve më të kërkuara ndërlidhur me kriptovalutat në Google, gjatë disa muajve të fundit. Dogecoin dhe bitcoin janë dy “bisha” krejtësisht të ndryshme, ani pse kjo e para është e bazuar në po të njëjtin kod softwerik që e mbështetë edhe bitcoinin.
Dogecoini mund të ketë potencialisht pafundësisht furnizim, gjë kjo që do të thotë se ata që kërkojnë të investojnë në këtë valutë për kohë më të gjatë, priren që të përballen me tretjen e investimit të tyre me kalimin e kohës. Bitcoini, në anën tjetër, ka furnizim fiks prej 21 milionë njësish, gjë kjo që e bën valutën të paktë dhe si rezultat më të çmueshme – pak a shumë sikurse ari dhe diamantet, të cilët kanë gjithashtu furnizim të kufizuar.
Derisa dogecoini është dizajnuar për të qenë një kriptovalutë për “të marrët”, bitcoini ka qenë përherë i synuar që të jetë një monedhë digjitale e decentralizuar, një alternativë kjo për paratë fiat të kontrolluara prej Bankës Qendrore. Shumë fansa të guximshëm të valutave digjitale e shohin dogecoinin dhe entuziazmin spekulativ përreth tij si minues të qëllimit të tyre për t’i çuar kriptovalutat, si bitcoin dhe eterium, drejt përdorimit të përgjithshëm. Ata pretendojnë se memecoin është vetëm një aset spekulativ, meqë pak investitorë institucionalë e mbështesin atë.
Ani pse dogecoini ka kaluar goxha rrugë që prej origjinave të saj satirike për t’u shndërruar në një kriptomonedhë popullore, ajo as që i afrohet mundësisë për ta kërcënuar dominimin e bitcoinit. Vlera e saj prej 70 miliardë dollarësh është vetëm një pjesëz e asaj të bitcoinit prej 1 biliard dollarësh.
“Dogecoin është një kripto-kopsht-fëmijësh. Është krijuar për t’u argëtuar dhe ilustron gjithashtu se si funksionojnë kriptovalutat”, ka thënë Jeff Gallas, themeluesi i Fondacionit Gjerman Bitcoin, duke folur për “Deutsche Wellen”. “Pra, është një gjë e mirë, me të cilën mbase mund të fillohet, për të edukuar veten se si funksionojnë kriptovalutat dhe duke mos e marrë atë shumë seriozisht”.
A është dogecoini një investim i mirë?
Kjo varet prej asaj se kush pyet. Tifozët e dogecoinit betohen në emër të tij, duke e lartësuar si kriptovalutën e së ardhmes me Muskun që e ilustron atë si “kripton e njerëzve”. Tarifat e saj të ulëta të transaksionit dhe furnizimi i madh ua lehtësojnë përdoruesve të internetit shfrytëzimin e monedhës për qasje në përmbajtje, si blogerë dhe krijuesit në Reddit dhe YouTube. Është, po ashtu, më i lehtë për t’u mihur – procesi i krijimit të bitcoinit të ri përmes problemeve komplekse matematikore – gjë kjo që do të thotë se transaksionet me dogecoin mund të procesohen më shpejt sesa me bitcoin.
Të tjerët e shohin dogecoin si një investim tejet spekulativ dhe të rrezikshëm, shumë më tepër sesa bitcoini ose eteriumi. Me gjithë mbështetjen e Muskut për monedhën, asnjëra prej kompanive të tij ende nuk ka investuar publikisht në dogecoin, për dallim prej bitcoinit.
Madje, vetë Musku i kishte nxitur njerëzit që “të investojnë me kujdes” dhe ka thënë se nuk ishte e mençur që të investohen kursimet e jetës në kriptovaluta, të cilat duhen konsideruar si spekulative për momentin.
“Dogecoini nuk ka gjasa që të bëhet monedha e preferuar që përdoret nga Amerika e korporatave, por hë për hë, interesimi me pakicë mund të bëjë që dogecoini ta pësojë fatin e ngjashëm sikurse GameStop”, ka thënë Moya. “Vlerësimi i dogecoinit nuk është i justifikueshëm, por mbështetja duket e pamëshirshme dhe mund ta mbajë çmimin e saj bukur përtej vlerës së arsyeshme”. /Dw/