Dogana me 14% më shumë të hyra


Gjatë vizitës në Drejtorinë e Doganore të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës vlerësoi rritjen për gati 14 për qind të të hyrave në këtë vit apo rreth 110 milionë euro më shumë, krahasuar me vitin e kaluar në periudhën e njëjtë. Po ashtu, potencoi faktin se të hyrat e gjithmbarshme për vitin 2021 janë mbi 30 për qind më shumë se sa në vitin 2020 dhe është tejkaluar projeksioni për afër 10 për qind.

Në takimin e përbashkët me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin dhe me Drejtorin e Doganave të Kosovës, Agron Llugaliu, në të cilin ishin prezentë edhe zyrtarë doganorë nga pikat doganore në veri të vendit, Kryeministri Kurti u shprehu falënderim e mirënjohje Drejtorit të Doganave, udhëheqjes së Doganës së Kosovës, por edhe secilit prej 582 zyrtarëve gjithsejtë, që punojnë në këtë institucion shumë të rëndësishëm të Republikës. 

Po ashtu, u vlerësua fakti që vlera e konfiskimeve dhe sekuestrimeve sivjet është 5 milionë euro, 3 milionë euro më shumë se sa vitin e kaluar për periudhën e njëjtë. 

Kryeministri theksoi se bazuar në matjet e fundit, edhe besueshmëria te qytetarët e Republikës për Doganat e Kosovës është rritur.

“Një studim i Bankës Botërore ka treguar që edhe koha e zhdoganimit ka përmirësim të madh në vlerën 36 për qind për import dhe 16 për qind për eksport, krahasuar me matjen paraprake e kjo është tejet e rëndësishme për investitorët e huaj e në veçanti për ekonominë e Kosovës, për komunitetin e biznesit, i cili me këtë të dhënë padyshim që inkurajohet për t’i riinvestuar fitimet e kursimeve”, potencoi kryeministri.

Me të gjitha këto të dhëna kryesore për doganat e Republikës së Kosovës, ne ndjehemi të sigurt që jemi në një progres, i cili edhe mundësohet edhe mbrohet nga Doganat e Republikës të cilat e mbrojnë shoqërinë tonë dhe janë pjesë themelore e sigurisë publike në vendin tonë, tha Kryeministri Kurti.

Ndërkaq, ministri Murati tha se kjo vizitë sot ishte shprehje e falënderimit dhe mirënjohjes për punën e deritanishme të Doganave dhe e mbështetjes për punën që na pret. Ai tha se ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve është e përkushtuar që të ndihmojë Doganat në rritjen e kapaciteteve, modernizimit të pajisjeve, që ka në dispozicion dhe të rikthimit të funksioneve, që Dogana ka pasur dikur, siç është rasti i terminaleve doganore shtetërore.