Dogana mbledh 580 milionë euro, 28% më shumë se në gjashtëmujorin e vitit të kaluar

Dogana e Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 ka shënuar rritje të të hyrave dhe prurjeve në krahasim me vitin e kaluar.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tha se të hyrat janë 28 përqind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit 2020.

“Ne kemi arritur që të mbledhim një sasi të konsiderueshme të të hyrave. Mund të ju them që deri tani kemi mbledhur rreth 580 milionë euro që në krahasim me vitin e kaluar janë rreth 28 % më shumë, por duhet të kemi parasysh që viti i kaluar ka qenë pandemik dhe të hyrat nuk kanë performuar aq mirë, por edhe në krahasim me vitet paraprake të hyrat janë në rritje e sipër. Rritja e të hyrave nuk varet nga Dogana, por nga performanca e ekonomisë së Kosovës dhe bizneseve që operojnë në Kosovë dhe paguajnë tatimin”.

Ai, në një intervistë në Ora Shtatë në Klan Kosova, ka folur edhe për kontrabandën.

“Nuk mund të themi se kemi rritje të kontrabandimit se nuk mund të kemi edhe rritje të të hyrave e në anën tjetër të kemi edhe rritje të kontrabandës, sepse po të kemi rritje të kontrabandës atëherë të hyrat automatikisht do të ulen”.

Stavileci ka deklaruar se akciza është njëra ndër arsyet se pse disa produkte si duhani dhe alkooli tentohen të kontrabandohen.

“Duhani apo nafta të cilat kanë taksa shumë dhe për këtë arsye ato kontrabandohen. Nëse arrijnë të kontrabandohen, fitimi i një kontabandisti është shumë me i madh me këto produkte sesa të kontabandojë shishe të ujit”.

Stavileci tha se presin që gjatë gjysmës tjetër të këtij viti të ketë një rritje edhe më të madhe të të hyrave sesa në gjashtëmujorin e parë.