Skenarë të errët për ekonominë e Kosovës, që për burim kanë efektet e pandemisë COVID-19, ka paraparë Kujtim Dobruna. Varësisht nga kohëzgjatja e krizës, sipas tij, tkurrja ekonomike mund të shkojë deri në 6 apo, sipas disa skenarëve më konservativë, edhe deri në 8 për qind për vitin 2020.
“Do të ketë rritje të papunësisë, me këtë edhe të varfërisë”, ka parashikuar ai. “Në momentin e rihapjes së kufijve kjo do të stimulojë një valë të re migrimi, për aq sa ai do të jetë i mundur”, shkruan KOHA.
Dobruna është ekonomist dhe ndërmarrës, themelues dhe udhëheqës i ECIKS-së, organizatë që ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës që nga viti 2003. Ai dhe kolegë të tij janë duke u angazhuar pro-bono në një dokument që synon të shpalosë rekomandime për një strategji dalëse nga kriza.
Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, Dobruna gjerësisht ka folur për dëmet në ekonomi që janë shfaqur e do të thellohen nga COVID-19, dhe ka treguar se sa kriza politike e ka lënduar luftën me këtë pandemi, e njëkohësisht edhe i ka rritur pasojat.
Ka folur për masat e ndërmarra nga Qeveria dhe ka treguar nëse duhej bërë diçka më ndryshe. Ai edhe ka ofruar parashikime se kur mund të pritet rimëkëmbja. Ndërkaq ka identifikuar edhe një fushë, fokusi në të cilën, sipas Dobrunës, do të nënkuptonte ringjallje feniksiane.