Shumë studime sugjerojnë se inkuadrimi i vajit të ullirit nëpër vakte pasuron shëndetin pasi që ky vaj përmban antiinflamator e antioksidant, raporton Deseret.
“Acidet yndyrore në vajin e ullirit zvogëlojnë rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, obeziteti, diabeti të tipit 2, sëmundjet e organeve tretëse dhe tensionin e lartë të gjakut”, shkruhet në një studim të vitit 2022 që u publikua në “Caspian Journal of Environmental Sciences”.
Por një tjetër studim që është bërë sivjet e është publikuar në “nature” thotë së të gjithë vajrat e ullirit nuk janë njësoj.
“Konsumi i moderuar ditor i vajit të ullirit të virgjër (1-1/2 lugë gjelle) ishte i lidhur me një të tretën e rrezikut më të ulët të të gjitha shkaqeve si dhe gjysmën e rrezikut të vdekshmërisë kardiovaskulare. Këto efekte nuk u panë për vajin e zakonshëm të ullirit”.
“Journal of the American College of Cardiology” publikoi një studim të udhëhequr nga studiuesit e Harvardit që analizoi të dhënat për 28 vjet.
Ata arritën në përfundim se për ata që konsuamuan më shumë vaj të ullirit, rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare ra 19%, ndërsa rreziku i vdekshmërisë nga kanceri ra me 17%. Ata gjithashtu kishin 29% rrezik më të ulët të vdekjes nga sëmundjet neurodegjenerative, dhe 18% rrezik më të ulët për të vdekur nga sëmundjet e frymëmarrjes.
Studiuesit shkruanin se zëvendësimi i margarinës, gjalpit, majonezës dhe yndyrës së bulmetit me vaj ulliri lidhej me rrezikun më të ulët të vdekshmërisë.
Duke qenë se vaji i ullirit ka shumë kalori, ekspertët shëndetësorë thanë për “The New York Times” se vaji i ullirit nuk duhet të shtohet mbi ushqime ose nëpër gjellët që tashmë janë përgatitur me yndyrë. Përkundrazi, ajo duhet përdorur si një zëvendësim për burime më pak të shëndetshme të yndyrës, veçanërisht gjalpi dhe produktet qumështore me yndyrë të plotë, të cilat përmbajnë yndyra të ngopura që mund të rrisin nivelin e kolesterolit.
Ekspertët sugjerojnë se nuk duhet përdorur më shumë se tre-katër lugë vaj ulliri në ditë, për shkak se kjo sasi ka mjaft dobi për organizmin.
Ekspertë të tjerë gjithashtu kanë thënë se edhe gjalpi është i mirë kur konsumohet në masë sa duhet.
Megjithatë këto të dyja nuk duhet përzier në një ushqim për shkak se nga konsumi mund të merren shumë kalori.