Djali i Ancelottit pritet ta udhëheqë Real Madridin në ndeshjen ndaj Chelseat


Djali i Carlo Ancelottit, Davide, mund të zëvendësojë babain e tij në krye të Real Madridit javën e ardhshme, kur Merengues të përballen me Chelsean në Ligën e Kampionëve.

Ancelotti rezultoi pozitiv me COVID-19 sot dhe me gjasë do të humbasë ndeshjen e radhës në La Liga ndaj Celta Vigos në udhëtim, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, “Los Blancos” kanë një provë më kritike javën e ardhshme kur ata do të vizitojnë Chelsean në Stamford Bridge në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja do të luhet pikërisht pas shtatë ditësh (6 prill) dhe ‘Carletto’ mund të mos e marrë veten në kohë për takimin me ish-klubin e tij në Londër.

Djali i tij dhe asistenti nr. 1, Davide do të udhëheqë ekipin spanjoll në Stamford Bridge javën e ardhshme nëse babai i tij nuk shërohet në kohë.

Davide tashmë rezultoi pozitiv me COVID në dhjetor, së bashku me katër lojtarë të Real Madridit.