Në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak, për të tetën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të vendosura Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.
Që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat serbët lokal kanë protestuar, duke vendosur barrikada në rrugët që të dërgojnë për në këto pika kufitare.
Kurse, gjatë ditë së kryeministri i vendit, Albin Kurti, u takua me krerët e opozitës, Lumir Abdixhikun nga LDK-ja dhe Memli Krasniqin nga PDK-ja, nëpërmjet së cilës këta dy të fundit shprehën mbështetjen për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit tonë.
Dita e djeshme u shoqërua me reagime të shumta nga Bashkimi Evropian dhe NATO.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një reagim të bërë në Twitter dje, tha se situata në veri të Kosovës të qetësohet.
“Situata në veri ka nevojë për deeskalim. Unë i bëj thirrje të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën në vend se të fajësojnë njëri-tjetrin. Mënyra më e mirë: Takohuni në Bruksel për të gjetur një rrugëdalje sa më shpejt të jetë e mundur”, shkroi ai në Twitter.
Kurse, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë ditës së djeshme i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të largojnë menjëherë policinë speciale dhe barrikadat në veri të Kosovës.
“Unë vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke çmontuar postblloqe. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka deklaruar ai.
Tutje ai ka shtuar se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë përgjegjës për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.
Krahas Borrell dhe Rohdes, edhe sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka reaguar për situatën në veri të vendit. Ai gjatë ditës së djeshme ka telefonuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ai përmes një postimi në Twitter ka shkruar se i ka kërkuar atyre të i rikthehen dialogut.
“Bisedova me Aleksandar Vuçiqin dhe Albin Kurtin për nevojën e deeksalimit në veri të Kosovës. Është jetike që edhe Beogradi edhe Prishtina të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i KFOR -it mbetet të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lëvizjes të lirë për të gjithë“, ka shkruar ai në Twitter,
Çka deklaruan Kurti dhe Vuçiqi dje?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas telefonatave të zhvilluara me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell dhe me sekretarin e NATO-së, Jens Stoltenberg, lidhur me tensionet dhe sulmet në veri të Kosovës, ka thënë se dialogu është zgjidhja e vetme.
“Në bisedat telefonike sot me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell dhe sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, ne diskutuam për sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë, si dhe nevojë për de-eskalimin e situatës në veri të Kosovës. Dialogu është mënyra e vetme për të gjetur zgjidhje”, shkroi Kurti në Twitter.
Ndërkaq, Vuçiq, pas bisedës, e quajti “pushtim” prezencën e forcave speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë, ndërsa tha se Serbia s’ka nevojë ta pyes askënd për avionët ushtarakë që përshkuan qiellin mbi pikëkalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Gjithashtu ai theksoi se Serbia nuk do të hyjë në Kosovë me trupat e saj dhe nëse rrezikohen njerëzit, ai tha se do të presë që NATO të reagojë brenda 24 orëve. Nëse NATO nuk reagon, ai paralajmëroi se një gjë të tillë do ta bëjë Serbia.
“I thashë Stoltenbergut sot që ne nuk do të hyjmë në Kosovë me trupat tona dhe se nëse njerëzit rrezikohen, ne do të presim 24 orë për ndërhyrjen e NATO -s. Nëse kjo nuk ndodh, Serbia nuk do të lejojë pogromën e serbëve nga Kosova”, tha Vuçiq në TV Pink.