Kosova tashmë e ka të sigurt medaljen olimpike nga “Parisi 2024”. Këtë e bënë të mundur xhudistja Distria Krasniqi.
Distria është në finale të kategorisë deri 52 kilogramë. Pra e ka të sigurt të paktën medaljen e argjendtë. Natyrisht ajo synon të artën dhe të shkruaj histori.
Në gjysmëfinale, Distria e kaloi italianen e papërshtatshme Odette Giuffrida. Ndaj saj tani ka shtatë fitore e katër humbje.
Lufta ishte shumë e fortë dhe shumë taktike. Italiania herët mori dy dënime, por më pas nuk kishte hedhje. Të dy xhudistet ishin të kujdesshme për të mos pësuar.
Lufta shkoi në kohën shtesë, ku Distria u rrezikua për herë të parë. Por evitoi rënien dhe lufta vazhdoi. Më pas të dy xhudistet e morën nga një dënim dhe kështu fitorja ishte për Distrinë. Giuffrida humbi për shkak të tri dënimeve.
Gjysmëfinalja i takon së kaluarës. Fokusi i Distrisë është te finalja. Ajo fitoi të artën në kategorinë deri 48 kilogramë në Tokio 2020. Tani synon titullin olimpik në kategorinë deri 52 kilogramë. Asnjë xhudiste në histori nuk ka fituar medalje të arta olimpike në dy kategori të ndryshme.