Këshillit Kombëtar i Pagesave në funksion të mbështetjes së reformave në fushën e pagesave përmes zgjerimit të përfshirjes dhe rritjes së bashkëpunimit ndërmjet akterëve të tregut në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës, mbajti mbledhjen e parë pas rifunksionalizimit, me anëtarësi të zgjeruar. Ky Këshill shërben si një organ këshillimor në mbështetje të reformave në fushën e pagesave dhe rritjes së sigurisë së Sistemit Kombëtar të Pagesave
Takimet me një fjalë hyrëse i përshëndeti Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili, Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ndërsa Kryesimi i Këshillit u bë nga Zëvendësguvernatori, Dardan Fusha, me pjesëmarrjen institucioneve publike dhe ndërkombëtare, sektorit privat e financiar dhe partnerëve zhvillimor.
Guvernatori Ismaili në hyrje të takimit ri-themelues dhe hapës për vitin 2024, u shpreh se një sistem i shëndoshë dhe efikas i pagesave, në sistemin financiar të Republikën e Kosovës mbështetë zhvillimin e mëtejshëm të ndërmjetësimit financiar, rritjen e stabilitetit financiar duke krijuar kështu një klimë në të cilën investitorët mund të zgjerojnë bizneset e tyre dhe se e bën tregtinë më të lirë dhe u ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime.
“Një sistem i zhvilluar financiar i pagesave ku pagesat realizohen me kosto të arsyeshme dhe me efikasitet në kohë e bëjnë tregtinë më të lirë dhe mundësojnë që firmat konkurruese të rriten dhe t’u ofrojnë konsumatorëve qasje më të lehtë në mallra dhe shërbime”, theksoi Guvernatori Ismaili.
Sipas Guvernatorit të BQK-së, një sistem i zhvilluar i pagesave siguron zvogëlimin e efekteve negative dhe siguron integritet në sistemin financiar të vendit.
“Njëkohësisht, një sistem i zhvilluar i pagesave siguron mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe të valutës Euro, zvogëlimin e efekteve negative nga dukuria e falsifikimit të parave, mbrojtjen e
konsumatorit dhe avancimin e praktikave të tregut, zvogëlimin e efekteve nga aktivitetet e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, qasjen e shtuar në shërbimet financiare dhe gjithëpërfshirjen financiare”, potencoi Guvernatori Ismaili.
I pari i BQK-së shtoi se avancimi i sistemit të pagesave do të përshpejtoj qasjen e Republikës së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave të Bashkimit Evropian të njohur si SEPA dhe Sistemin e Pagesave të Shpejta të Bashkimit Evropian i njohur si TIPS, si objektiv strategjik i BQK-së.
“Avancimi i sistemit të pagesave do të përshpejtojnë edhe qasjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro të Bashkimit Evropian e njohur si SEPA, e cila ka për detyrë të sjellë në mënyrë efektive pagesat e brendshme dhe ndërkufitare brenda BE-së në të njëjtin nivel të kostos, efikasitetit në kohë dhe sigurisë si dhe qasjen në Sistemin e Pagesave të Shpejta të BE-së të njohur si TIPS që është pjesë e Eurosistemit nga viti 2018”, shtoi i pari i BQK-së.
Duke përmendur Planin Strategjik 2024-2028 të BQK-së, Guvernatori Ismaili listoi disa nga aktivitetet që janë planifikuar dhe që lidhen me fushën e sistemit të pagesave. Ai renditi disa nga veprimet tashmë të ndërmarra në aspektin rregullativ dhe ligjor, si përgatitje drejt zbatimit të Planit.
“Avancimi i sistemit të pagesave paraqet sfida të konsiderueshme si nga perspektiva e BQK-së ashtu edhe nga ajo bankave dhe institucioneve financiare jobankare dhe për këtë kërkohet bashkëpunim dhe koordinim i ngushtë. Kujdes i veçantë duhet t`i kushtohet rreziqeve qe sjellin këto zhvillime, me theks tek ato kibernetike dhe jo vetëm”, theksoi Guvernatori Ismaili.
Edukimi financiar do të jetë në fokusin e BQK-së, krahas avancimit të praktikave të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Prandaj, do të organizohen dhe mbështetën kampanja për edukimin financiar të përdoruesve të shërbimeve të pagesave lidhur me përfitimet, mënyrën e realizimit, sigurinë dhe rëndësinë e pagesave digjitale/elektronike.
“Në anën tjetër, zgjerimi i infrastrukturës fizike dhe harduerike, qasja në financa dhe gjithëpërfshirja, gjithashtu synohet të arrihet përmes këtij mekanizmit të sotëm, që gradualisht na vendos në rrugën drejt një ekonomie me sa më pak para të gatshme (cash), dhe një sistemi të integruar të pagesave të shpejta. Për të arritur këtë bashkërisht, kërkohet angazhim dhe koordinim nga të gjithë, ndaj ju falënderoj të gjithë juve për prezencën dhe kontributin institucional e personal”, tha Guvernatori Ismaili.
Me këtë rast, Guvernatori Ismaili shfrytëzoj rastin të falënderoj për bashkëpunimin dhe bashkërendimin Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për asistencat teknike të dhënë BQK-së ndër vite, duke na mbështetur përmes Programit të Pagesave dhe Remitancave të financuar nga SECO dhe Projektit për Modernizimin e Sistemit të Pagesave të vendeve të Ballkanit Perëndimor nën administrim të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe të financuar nga Bashkimi Evropian, për të cilin shprehim mirënjohjen tonë të thellë po ashtu.
Gjithashtu, ai falënderoi Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e saj, me theks Thesarin Amerikan dhe USAID-in për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë BQK-së në ngritjen e kapaciteteve për fusha të ndryshme që lidhen me mandatin e BQK-së dhe sidomos për projektet që i kemi në proces lidhur fushën e qasjes në financa dhe zhvillimin e tregut të kapitalit.