Të paktën tre lojtarë të Barcelonës i kërkuan klubit të mos nënshkruajë me Marcus Rashford nga Manchester United, para se të kompletohet kalimi i tij në huazim tek Aston Villa.
Rashford u transferua tek Villa si huazim deri në fund të sezonit të dielën, pasi u përjashtua nga skuadra e Unitedit për pothuajse dy muaj nga trajneri Ruben Amorim.
27-vjeçari mund t’i bashkohet Villas në mënyrë të përhershme në fund të sezonit, pasi ata zotërojnë opsionin për ta blerë kartonin e tij për 40 milionë euro.
Para se të realizohej kjo lëvizje, Rashford ishte lidhur me disa klube si Barcelona, Borussia Dortmund dhe Milan, por asnjë prej këtyre nuk u bë realitet.
Barcelona në veçanti ishte një çështje komplekse për shkak të problemeve të tyre financiare, që i lanë ata në vështirësi për të regjistruar lojtarë si Dani Olmo.
Përpjekja për të shtuar lojtarë të rinj në kufirin e tyre të pagave, që ka qenë e kufizuar ashpër nga La Liga në sezonet e fundit, do të kishte shkaktuar më shumë telashe.
Tani, sipas një raportimi nga e përditshmja katalanase SPORT, një numër lojtarësh të Barcelonës kanë ngritur shqetësimin e tyre për transferimin e Rashford, pasi kjo do të thoshte largimin e njërit prej lojtarëve aktual të ekipit.
Pedri, Gavi dhe Ronald Araujo të cilët që të tre rinovuan kontratat e tyre me Barcelonën në muajt e fundit, thuhet se ishin lojtarët që ishin të shqetësuar, por kishte edhe më shumë emra të përfshirë.