Diferencat në treg mes Shqipërisë dhe Anglisë

Shqipëria i nis kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026 me një test të vështirë kundër Anglisë. Kuqezinjve të Silvinjos do t’u duhet një sipërmarrje e jashtëzakonshme dhe shumë fat që të bëjnë mrekullinë në stadiumin “Uembli”.

E kjo sepse kundër do të kenë një kombëtare me futbollistë tepër cilësore, vlera totale e të cilëve në treg shkon në 1.32 miliardë euro, ndërsa ajo shqiptare 100 mln euro referuar sajtit transfermarket.

Mosha mesatare e kombëtares së ‘tre luanëve’ shkon në 26.2 vite, ndërsa futbollisti më i shtrenjtë i tyre është ylli i Real Madridit Xhud Bellingam, që ka një vlerë prej 180 mln euro.

Por ka futbollistë të tjerë të cilët të vetëm kushtojnë më shumë se sa i gjithë grupi kuqezi. Duke vazhduar me mesfushorët  Deklan Rice, që ka një vlerë 110 mln euro, e Phil Phoden 140 mln euro.

Ndërsa mosha mesatare e kuqezinjve është 27 vite. Futbollisti që kushton më shumë te Shqipëria është mesfushori i Interit, Kristjan Asllani, kartoni i të cilit ka vlerën e 18 mln eurove.

Vetëm pesë futbollistë tek Anglia kushtojnë më pak se sa Asllani. I dyti me i shtrenjtë është Armando Broja, 15 mln euro e pas tij Ernest Muçi që kushton 12 mln euro.

Reparti me më shumë vlerë i kuqezinjve është i sulmit, në total 38.7 mln euro, dukshëm më i ulët se ai i ‘tre luanëve’ me kosto 435 mln euro. Por kjo diferencë, nuk i tremb kuqezinjtë, por i motivon ata.