Një studim i ri ka treguar për ndikimin e dietës në plakjen e shëndetshme dhe sëmundjet kronike.
Studimi, që ka ndjekur mbi 105 mijë profesionistë të shëndetit mesatarë për 30 vjet, ka treguar se konsumimi i rregullt i ushqimeve me bazë bimore, ka lidhje me mundësinë e të jetuarit pa sëmundje kronike deri në moshën 70-vjeçare, ka shkruar “Newser”.
Pika kryesore e hulumtimit, i cili u botua në “Nature Medicine”, është se dietat që përmbajnë shumë ushqime bimore, si fruta, perime, drithëra të plota, arra dhe bishtajore, dhe që janë të varfra në ushqime shumë të përpunuara dhe yndyra të dëmshme, janë të lidhura me mundësi më të madhe për tu plakur shëndetshëm.
Sipas Anne-Julie Tessier, autore kryesore e studimit dhe studiuese në Universitetin e Montrealit, “ky studim sugjeron se ajo që hani në mes të jetës mund të luajë rol të madh në mënyrën se si plakeni”.
Studimi ka treguar se shumica e të moshuarve kanë të paktën një sëmundje kronike, siç është diabeti, sëmundja e zemrës ose kanceri. Nga 105,015 pjesëmarrës, vetëm 9,771 (9.3%) arritën në moshën 70-vjeçare pa asnjë sëmundje kronike.
Pjesëmarrësit kanë treguar se kanë ndjekur një nga tetë dieta të shëndetshme. Këto dieta janë të pasura me fruta, perime, drithëra të plota, yndyra të pangopura, arra dhe bishtajore, si dhe kanë sasi të ulëta të mishit të përpunuar, sheqernave dhe yndyrave të pashëndetshme.
Sipas studimit, pjesëmarrësit që kishin rezultatin më të lartë në AHEI kishin 86% më shumë mundësi për plakje të shëndetshme krahasuar me ata që kishin rezultatet më të ulëta.
Nga ana tjetër, dietat të cilat kishin shumë mish të kuq dhe të përpunuar, yndyra të pashëndetshme, natrium dhe pije të sheqerosura ishin të lidhura me mundësi më të ulët për plakje të shëndetshme.
Pjesëmarrësit që konsumonin më shumë ushqime të shumë përpunuara kishin 32% më pak mundësi të arrinin plakje të shëndetshme.
Përfundimi i studimit thotë se “dietat e pasura me ushqime bimore, me përfshirjen e moderuar të ushqimeve të shëndetshme me bazë shtazore, mund të përmirësojnë plakjen e përgjithshme të shëndetshme, duke dhënë udhëzimet e ardhshme dietetike”.