Ju mund të jeni të vetëdijshëm për faktin se ka ushqime që mund t’ju prishin gjumin. Ka edhe ushqime që duhet t’i shmangni kur jeni të stresuar.
Nga ana tjetër, një studim i ri ka zbuluar se ngrënia e një “diete psikobiotike” jo vetëm që mund ta ulë stresin, por gjithashtu mund t’ju ndihmojë të bëni një gjumë më të mirë gjatë natës, shkruan portali “Eat This, Not That”.
Një studim i publikuar në tetor të këtij viti në gazetën “Molecular Psychiatry”, i përfshinte 45 të rritur nga mosha 18 deri në 59 vjeç, të cilët normalisht konsumonin një dietë që ishte e ulët në fibra. Ndërsa të gjithë pjesëmarrësit u takuan me një dietolog për këshillim, studiuesit nga kolegji universitar “Cork” gjithashtu i ndanë pjesëmarrësit në dy grupe, të cilët u udhëzuan të hanin dieta të ndryshme.
Grupi i pari kaloi në një dietë që e ndiqte piramidën ushqimore. Grupit të dytë iu kërkua të hante një “dietë psikobiotike”, e cila përfshin një sasi të madhe të ushqimeve prebiotike dhe të fermentuara.
Gjetjet rezultuan se ndërsa te dy grupet vunë re një përmirësim në gjumin e tyre, pjesëmarrësit që kishin ngrënë një dietë psikobiotike gjithashtu përjetuan ulje të sasisë dhe intensitetit të stresit. Përtej kësaj, niveli i stresit të perceptuar zvogëlohej sa më shumë që një pjesëmarrës e ndiqte dietën psikobiotike, e cila përbëhet nga drithëra të plota, fruta dhe perime prebiotike, ushqime të fermentuara dhe bishtajore.
Studimi në fjalë po ashtu i vë në pah përfitimet premtuese të një dietë psikobiotike në lidhje me tretjen dhe stresin. Stresi ndikon në shëndetin e tretjes dhe mund ta pengojë përthithjen efikase të lëndëve ushqyese të nevojshme për ta luftuar stresin dhe rreziqet e tjera të mundshme që lidhen me të.
Megjithëse nevojiten studime të mëtejshme, deri më tani është vërtetuar se roli i një diete të shëndetshme është tejet i rëndësishëm në menaxhimin e stresit dhe përmirësimin e kualitetit të gjumit.
Gjithashtu, studiuesit kanë theksuar se një person që ka nevojë për një dietë të ulët të histaminës mund të mos përfitojë nga ushqimi psikobiotik, por mund të arrijë rezultate të kënaqshme me anë të një diete mesdhetare. Kjo është arsyeja pse është mirë të bisedoni me një ekspert përpara se ta filloni një dietë.