Një dietë mesdhetare me arra, ushqim deti, drithëra dhe perime mund të ulë rrezikun e demencës me pothuajse një të katërtën, sipas hulumtimeve që mund të hapin rrugën për trajtime të reja parandaluese.
Të dhënat thonë se ngrënia e shumë ushqimeve me bazë bimore mund të ketë një “efekt mbrojtës” kundër demencës, pavarësisht nga rreziku gjenetik i një personi.
Bashkautorja e studimit Janice Ranson, një studiuese në Universitetin e Exeter, tha se “gjetjet nga ky studim i madh i bazuar në popullatë nënvizojnë përfitimet afatgjata të shëndetit të trurit nga konsumimi i një diete mesdhetare, e cila është e pasur me fruta, perime, drithërat dhe yndyra të shëndetshme”.
“Efekti mbrojtës i kësaj diete kundër demencës ishte i dukshëm pavarësisht nga rreziku gjenetik i një personi, dhe kështu kjo ka të ngjarë të jetë një zgjedhje e dobishme e stilit të jetës për njerëzit që kërkojnë të bëjnë zgjedhje të shëndetshme diete dhe të zvogëlojnë rrezikun e demencës”, ka thënë Ranson.
Gjetjet, të publikuara në revistën “BMC Medicine”, bazohen në të dhënat nga më shumë se 60,000 individë.
Studiuesit vlerësuan individët duke përdorur dy masa për respektimin e dietës mesdhetare dhe morën parasysh rrezikun gjenetik të secilit individ për demencë. Gjatë gati një dekade, kishte 882 raste të demencës, por ata që ndiqnin një dietë të rreptë mesdhetare kishin një rrezik 23 për qind më të ulët për të zhvilluar këtë gjendje, krahasuar me ata që hanin ndryshe.