Diaspora më “dorëlirë” gjatë pandemisë, dërguan miliona euro

Linda Zejnullahu, rreth 25 vjeçe, që jeton në Komunën e Shtimes, me vite të tëra pranon mjete financiare nga xhaxhai i saj i cili jeton në shtetin e Gjermanisë, të cilat i shfrytëzon për shkollim. Kjo ka vazhduar edhe gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit.

“Mua personalisht më ka dërguar para për shkollim deri në 100 euro në muaj. Gjatë kohës se pandemisë i ka dërguar para edhe familjes sime, 300 euro në muaj. Paratë i ka dërguar vetëm për qejf, pasi unë dhe disa familjarë punojmë në Kosovë”, tha Linda.

Dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës ishin të pashmangshme edhe gjatë pandemisë COVID-19, me gjithë faktin se pandemia ka prekur edhe shtetet ku punojnë dhe jetojnë emigrantët nga Kosova.

Në gjashtë muajit e parë të këtij viti, vlera e remitencave ka arritur në 433 milionë apo 28 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kështu ka thënë të mërkurën, më 29 korrik, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, gjatë një konference për media, ku bëri të ditur vendimin për mbulimin e shpenzimeve nga ana e qeverisë për Kartonin e Gjelbër për mërgimtarët që vijnë në Kosovë.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vetëm në muajin maj të këtij viti, vlera e parave të mërgimtarëve me prejardhje nga Kosova, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ka qenë 100,7 milionë euro, ndërsa në muajin maj të vitit të kaluar kjo vlerë ka qenë 78,4 milionë euro.

Përfaqësues të shoqërisë civile, ndërkaq theksojnë se diaspora ka reaguar shpejtë me remitenca, për të ndihmuar familjet e tyre në Kosovës, për shkak të pasojave që ka shkaktuar pandemia në buxhetin familjar të tyre.

Lirim Krasniqi hulumtues dhe analist i politikave në organizatën “Germin”, që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se edhe vendet ku është e koncentruar diaspora kosovare, janë të prekura nga pandemia e koronavirusit, por siç thotë ai, ata kanë shfrytëzuar kursimet e tyre financiare.

“Edhe kjo vërehet nëse i shikojmë kanalet e dërgimit të remitencave. Shihet se shuma më e madhe e parave kanë ardhur përmes agjencive për transferim të shpejtë. Kjo tregon se rritja e nivelit të remitencave ka ardhur si reagim i diasporës për të ndihmuar familjet me të ardhurat e tyre në Kosovë, të cilët janë prekur nga pandemia”, tha Krasniqi.

Sipas të dhënave të BQK-së, nga shuma e përgjithshme e dërgesave prej 100,7 milionë euro, në muajin maj të këtij viti, 88,6 milionë euro janë dërguar përmes agjencive për transferë të mjeteve, kurse përmes bankave komerciale që operojnë në Kosovë, janë dërguar 12,2 milionë euro.

Përveç remitencave të dërguara për familjet e tyre, nga diaspora kosovare janë grumbulluar mbi 716 mijë euro në llogarinë e dedikuar të Thesarit, si mbështetje financiare për luftimin koronavirusit, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Ndihma nga diaspora ka ardhur pas thirrjes që u ka bërë mërgimtarëve ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të këtij viti.

Drejtori i përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se llogaria është ende aktive.

“Kjo nuk ka qenë llogari vetëm për bashkatdhetarët, kjo është llogari për donacione dhe grante. Normal se kontributin më të madh e ka dhënë diaspora e Kosovës që jeton në vende të ndryshme të Evropës dhe botës”, tha Ismaili.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.

Ekonomia e Kosovës vazhdon të ketë një varshmëri të madhe nga remitencat apo dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës.

Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi 800 milionë euro.

Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të ulëta./rel/