Dialogu kusht edhe për fondet e reja nga plani i madh ekonomik i zgjerimit

Komisioni Evropian qysh dje ka shpallur planin që ka për ta zgjeruar Bashkimin Evropian edhe me shtetet e Ballkanit Perëndimor, fillimisht përmes një plani të madh ekonomik 4 pikësh, ku përveç shyrjes së 6 shteteve drejt tregut të unifikuar të BE-së dhe avancimit të tregut të përbashkët rajonal, janë paraparë edhe reforma në drejtësi dhe zhvillimin e demokracisë, në tërheqje të investimeve të huaja për të cilat BE ka ndarë plot 6 miliardë euro.

Fondet e KE-së për zgjerim janë të ndara nga fondet e programeve tjera të BE-së dhe do të ekzekutohen në dy faza varësisht nga zbatimi i reformave të cilat e afrojnë secilin shtet me BE-në dhe që duhet të hartohen nga vetë Qeveritë e shteteve të Ballkanit Perëndimor deri në pranverë të vitit të ardhshëm, njofton Klan Kosova.

Kështu ka treguar një zyrtar i KE-së gjatë një takimi informues me gazetarë të rajonit, mbi detajet e planit të zgjerimit. Ky zyrtar është pyetur nga Klan Kosova nëse masat aktuale që BE i ka vendosur Kosovës pas tensioneve në veri do t’i ndikojnë fondet e reja dhe kjo sipas këtij zyrtari është medoemos e lidhur dhe ekzekutimi i fondeve do të ndodhë varësisht nga raportet mes Kosovës dhe Serbisë, zhvillimeve në terren dhe dialog. “Nuk ka fonde edhe nëse ka reforma nëse dy shtetet nuk kanë avancuar në dialog” ka thënë ndër të tjera ky zyrtar.

Ekspertët e Komisionit Evropian do të zbarkojnë në Ballkan çdo 6 muaj për ta parë avancimin e bërë në reformat e kërkuara. Gjatë këtij takimi është konfirmuar se planifikimi i nisjes së reformave do të fillojë me takimin e ministrave të financave, javën e ardhshme në Shkup të Maqedonisë së Veriut.