Dialogu Kosovë – Serbi, gjatë tetorit pritet takimi i radhës Kurti-Vuçiq

Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq është mbajtur më 18 gusht të këtij viti, ndërkaq një takim tjetër pritet të ndodhë gjatë këtij muaji.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është intensifikuar muajve të fundit, pasi përveç BE-së, tani edhe SHBA, Gjermani e Francë janë kyçur në proces.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane tha se ka pritje që gjatë muajit tetor të ketë një takim ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, por sipas tij, ende nuk është konfirmuar, raporton Telegrafi.

“Ka pritje që gjatë muajit tetor të organizohet një takim por ende nuk është e konfirmuar”, tha Bislimi.

Sipas tij, ka disa marrëveshje që janë në zbatim e sipër, por siç tha ai nuk janë të kënaqur me ritmin e zbatimit.