Kosova – e cila ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 – dhe Serbia – që vazhdon ta kundërshtojë atë – janë të angazhuara në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Sot, kur jemi në ditën e fundit të vitit 2023, ende nuk ka një marrëveshje mes dy shteteve fqinje. Çka pritet nga Prishtina e Beogradi më 2024?
Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë, ndërkaq në mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes ende nuk ka nisur.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Sot, kur jemi në ditën e fundit të vitit, kjo çështje është diskutuar sërish nga Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Diskutimet për hapat e veprimet dhe renditjen e tyre janë duke vazhduar dhe ne presim që palët të arrijnë një marrëveshje së shpejti në mënyrë që më në fund të fillojë zbatimi. Është e qartë, megjithatë, se derisa Kosova më në fund pritet të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, Serbia pritet të përmbushë paralelisht pjesët thelbësore të obligimeve të saj sipas marrëveshjes. Ky proces duhet të jetë transparent dhe i drejtë”, tha Lajçak i pyetur se kur pret që dialogu të rifillojë dhe çfarë është diskutuar në takimet e fundit të veçanta me negociatorët kryesorë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Lajçak tha se nga “bisedimet shtesë” të dhjetorit ka pasur “disa përparime”, ndërsa shton se pret që në vitin 2024 të bëhet përparim në zbatimin e marrëveshjes.
“Në mesin e dhjetorit kam zhvilluar bisedime shtesë me të dyja palët për një sërë çështjesh, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, si dhe pyetje shtesë për sqarimin e draft-statutit europian për krijimin e një shoqatë/bashkësie. Ne diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh specifike në dialog, duke përfshirë personat e zhdukur, energjinë dhe targat. Ka pasur disa përparime në këto çështje. Bisedimet po vazhdojnë dhe pres që në fillim të vitit 2024 të arrijmë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, me kusht që të dyja palët të tregojnë vullnetin e nevojshëm politik, guximin dhe lidershipin për ta bërë këtë”, tha diplomati europian, shkruan Gazeta Sinjali.
Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha dy ditë më parë se Uashingtoni pret që gjatë vitit 2024, Kosova dhe Serbia të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve dhe sipas tij, dialogu duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve.
Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, Hovenier tha se nga Marrëveshja drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti, përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve.
“Më 2024, shpresojmë të shohim përparim të njëmendtë, duke përfshirë Serbinë që ndërmerr hapa të rëndësishëm për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të saj sipas kësaj marrëveshjeje, si dhe Kosovën që gjithashtu i përmbush detyrimet e saj, përfshirë që të lëvizë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Përfundimisht, ky proces i normalizimit përmbyllet me njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, përderisa të dyja vendet kërkojnë të përmbushin rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit paraqet hap të madh drejt asaj të ardhmeje”, tha Hovenier.