Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka reaguar pasi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj saj për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hoxha në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, pohoi se ndjehet plotësisht e pafajshme për këtë aktakuzë.
“Nuk jam informuar për këtë aktakuzë, tash e pashë në media. Jam plotësisht e pafajshme dhe është jo profesionale që Prokuroria me ra nën ndikimin e gazetares Jeta Xharra për me ngrit padi. Procedurat e prokurorimit janë transparente, shpresoj që gjyqësori të jetë i pavarur”, deklaroi Hoxha për Telegrafin.
Ngrihet aktakuzë kundër ish-ministres Dhurata Hoxha
Ndryshe, Prokuroria Speciale sot ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë pran gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, kundër pesë personave për keqpërdorim të autoritetit zyrtar.
Pjesë e kësaj aktakuze është ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, sekretari i asaj kohe në këtë ministri, Demush Shasha, zyrtari Nuhi Osmani dhe dy të tjerë.
Prokuroria Speciale njofton se e pandehura Dhurata Hoxha akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.