Dhjetëra punëdhënës britanikë të cilët kanë provuar ta fusin në funksion sistemin e punës katërditore brenda javës, kanë vendosur të qëndrojnë me këtë pilot, i cili po konsiderohet si përparim për ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës, raportoi të martën Reuters.
Punonjësit në 61 kompani në të gjithë Britaninë kanë punuar mesatarisht 34 orë në katër ditë midis qershorit dhe dhjetorit të vitit 2022, duke marrë pagën e tyre ekzistuese. Prej tyre, 56 kompani apo 92 për qind zgjodhën të vazhdojnë me këtë orar, ku 18 prej tyre vendosën të mos bëjnë ndryshime.
Organizata kërkimore me bazë në Britani, Autonomy, ka publikuar raportin së bashku me një grup akademikësh dhe me mbështetjen e grupit “4 Day Week Global” me bazë në Zelandën e Re.
Kjo provë e “Autonomy-t”, ka mbuluar gjithsej 2,900 punonjës në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga kompania e financave “Stellar Asset Menagement”, te prodhuesi digjital Rivelin Robotics.
Ky staf që ishte pjesë e eksperimentit ka thënë se mirëqenia dhe balanci i tyre punë-jetë ishin përmirësuar, ndërsa të dhënat treguan se punonjësit kishin shumë më pak gjasa të linin punën e tyre si rezultat i politikës katërditore brenda javës.
“Ky është një moment i madh përparimi për lëvizjen drejt një jave pune katër-ditore,” tha në një deklaratë Joe Ryle, Drejtor i Fushatës së Javës 4-Ditore.
Për disa punonjës, dita shtesë e pushimit ishte më e rëndësishme se paga. 15 për qind thanë se asnjë shumë parash nuk do t’i shtynte ata në një javë pesë-ditore. Disa staf kishin pushim të mërkurën, ndërsa të tjerët kishin një politikë treditore të fundjavës.