Dhjetë kosovarë që u nisën nga Frankfurti për në Kosovë, ndërruan jetë dhe 44 të tjerë u lënduan, pasi që autobusi me të cilin po udhëtonin humbi kontrollin dhe doli jashtë rrugës, mëngjesin e djeshëm, rreth orës 06:00, në Slavonski Brod të Kroacisë.
Kompania turistike “Deva Torus”, autobusi i së cilës u përfshi në këtë aksident, ka shprehur ngushëllim për familjet e viktimave, duke thënë se po e përjetojnë me trishtim dhe dhimbje të madhe çdo sekondë të tragjedisë.
“Me trishtim dhe dhimbje të madhe po e përjetojmë çdo sekondë të tragjedisë së djeshme e cila do të na përcjellë gjatë gjithë jetës! Është e vështirë të gjinden mendimet dhe fjalët racionale për ta përshkruar peshën e dhimbjes që secili nga ne po e bart mbi supe”.
Tutje stafi i Deva Tours shprehet se: “Bashkëndjejmë sot me secilin prej jush me ndjenjat më të sinqerta të dhembshurisë pasi që ata ishin edhe vëllezërit dhe motrat tona me të cilët kemi bashkudhëtuar shumë herë. Si gjithmonë, jemi përpjekur të jemi maksimalisht në krye të detyrës dhe shërbimit sa më të mirë për bashkatdhetarët tonë“.
Mes tjerash kompania shprehet se: “Fatkeqësisht kjo tragjedi na preu rrugën dhe na mori me vete më të dashurit dhe po ashtu edhe kolegun tonë shembullor, Naserin, i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë si njeri i mirë, punëtor i zellshëm dhe i kompletuar. Pranoni edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta!”.
Kompania turistike ka falënderuar organet shtetërore të Kroacisë dhe Kosovës për gatishmërinë e treguar, duke cekur se mbesin të hapur dhe me besimin e plotë që të zbardhet çdo rrethanë e kësaj ngjarje.
“Me mendje, zemër dhe lutje do të jemi çdo moment me të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe t’i kthehen familjeve të tyre. Pranë jush me dhimbje te madhe, Deva Tours”, thuhet në shkresë.