Një vizitë e paparalajmëruar e Xhelal Sveçlës në Dhomën e Përgjimeve të Telekomit të Kosovës para rreth dy javësh, është përmendur të mërkurën nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi ka thënë se u.d. i ministrit të Punëve të Brendshme, së bashku me shefin e tij, kryeministrin në detyrë Albin Kurtin dhe zëvendëskryeministrin Haki Abazi kanë hyrë në dhomën e përgjimeve të Post-Telekomit të Kosovës për tri ditë radhazi.
Thaçi ka kërkuar që Kurti, Abazi dhe Sveçla të japin përgjegjësi para organeve kompetente. Ka thënë se futja në dhomën e përgjimeve në Telekom përbën vepër penale.
“Në atë dhomë mund të futet vetëm kryeprokurori. Pse ky grup është futur në dhomën e përgjimeve. Çfarë kanë dashur ata në dhomën e përgjimeve në PTK. Albin Kurti, Haki Abazi dhe Xhelal Sveçla, kanë ndalur kamerat dhe kanë hyrë për tri ditë në dhomën e përgjimeve në PTK”, ka thënë Thaçi në RTV Dukagjini.
Në javën e dytë të muajit maj, Gazeta Objektiv raportoi për një vizitë të paparalajmëruar të Xhelal Sveçlës në njësinë e përgjimeve telefonike të Telekomit të Kosovës.
Përveç se nuk kishte paralajmëruar ardhjen e tij në objektin e Telekomit të Kosovës, Sveçla, gjatë “vizitës” së tij nuk kishte takuar asnjë nga zyrtarët e kësaj kompanie publike.
Por, sipas Gazetës Objektiv, ai ka qëndruar për më shumë se një orë në njësinë e përgjimeve telefonike, që funksionon brenda Telekomit të Kosovës.
Gjatë qëndrimit të tij në këtë njësi, Sveçla është interesuar për mënyrën e përgjimit të telefonave të personave të ndryshëm.
Kjo njësi është e autorizuar të vendos në përgjim të gjithë personat që janë nën hetime nga ana e organeve të rendit dhe drejtësisë.
Por, sipas rregullave, kjo njësi është e obliguar t’i përgjigjet vetëm urdhrave të Gjykatave në rastet kur i kërkohet të vendos dikë në përgjim apo ta përfundojë përgjimin telefonik të tyre.
Në asnjë rrethanë, njësia e përgjimeve telefonike nuk i përgjigjet Ministrisë së Brendshme dhe prania e zyrtarëve të saj në këtë njësi, sikur ajo e Xhelal Sveçlës, është e kundërligjshme.