Detaje shtesë nga rasti tragjik në Ferizaj: Djali vrau në orët e mëngjesit nënën e tij 83-vjeçare

Prokuroria e Ferizajt ka dhënë detaje për ngjarjen tragjike që ka ndodhur sot në këtë komunë, ku djali dyshohet se ka vrarë nënën e tij.

Prokuroria me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se viktima ishte e moshës 83 vjeçare, teksa djali i saj rreth 62 vjeç, shkruan lajmi.net.

Ngjarja sipas dyshimeve ka ndodhur rreth orës 08:00 në mëngjes.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot, në Ferizaj, një person dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, në mëngjes, ku i dyshuari B. Ç., rreth 62 vjeç, dyshohet se në shtëpinë e tij në rrugën “Ejup Statovci”, në Ferizaj, ka privuar nga jeta nënën e tij, tani të ndjerën M. Ç, rreth moshës 83 vjecare”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Në këtë mënyrë dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I dyshuari B. Ç, me vendim të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor ndaj tij do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.​