Drejtoria e Policisë së Tiranës ka dhënë sot detaje lidhur me sulmin e një dite më parë ndaj televizionit kombëtar “Top Channel” ku mbeti i vrarë roja i sigurisë Pal Kola.
Sipas njoftimit për shtyp të policisë, automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës.
“Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës”, sqaron policia.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin një ditë më parë ka mbetur akoma pa autorë. Ndërkohë që policia ka vënë në dispozicion 100 mijë euro për çdo informacion të vlefshëm nga qytetarët që do të ndihmonte në zbardhjen e ngjarjes. Policia ka vënë në dispozicion numrin 069 41 10 299 për të marrë pista që do të çojnë në kapjen e autorëve.