Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka reaguar pas dështimit të mbledhjes së Komisionit për Buxhet, ku pritej të shqyrtohej propozimi i Komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale.
Ministri Murati ka fajësuar partitë opozitare për pamundësimin e kuorumit dhe votimin e anëtarëve të bordit të Trustit.
Murati ka shkruar në Facebook se mbledhja e sotme ka dështuar pa kurrfarë arsye, dhe sipas tij, kjo opozitë nuk e ka hallin as te qytetari, e as te shteti.
“Para disa muajsh opozita bënte alarm e shpërndante panik se si gjoja mjetet e Trustit po rrezikoheshin për shkak të mungesës së bordit. E njëjta opozitë sot në Komisionin Parlamentar për Buxhet pamundëson kuorumin dhe votimin e anëtarëve të bordit të Trustit pa kurrfarë arsye. Kjo është vetëm dëshmia e radhës se kjo opozitë nuk e ka hallin as te qytetari e as te shteti. Halli është tjetër kund”, ka shkruar Murati./Telegrafi/