Kryeministri Albin Kurti, reagoi të dielën pas dështimit të referendumit për largimin e kryetarëve nga 4 komunat në veri të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Kurti kërkoi që kryetarët Zveçanit dhe Zubin Potokut nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri të shkojnë për ta ushtruar detyrën e tyre, shkruan klankosova.tv
“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyrat e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti.
Kurti poashtu kërkoi nga Bashkimi Evropian heqjen e masave sanksionuese ndaj Republikës së Kosovës.
”Një vit pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të cilat u mbajtën më 23 prill të vitit 2023, e u njohën nga BE dhe ShBA, përkatësisht QUINT-i, sot u mbajtën ‘zgjedhjet për shkarkim’ të këtyre kryetarëve.