Dëshmitari Fadil Geci është duke dëshmuar për ditën e dytë me radhë në rastin më të madh të Dhomave të Speciale. Ish-deputeti Geci ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi është lehtësuar pas vdekjes së familjes Jashari sepse mendonin se kështu do të hipte në krye të UÇK-së.
Ai hodhi akuza të rënda duke thënë po ashtu se UÇK-ja e shihte pengesë LDK-në në Drenicë dhe dëshironte eliminimin e saj.
Tha po ashtu se ka shkuar në shtëpinë e familjes së Hashim Thaçit për të pyetur lidhur me komunikatën e 59-të që e cilësonte vëllain e dëshmitarit, Gani Gecin, si tradhtar pas vrasjes së Abedin Rexhës.
“Unë prej ditës së parë që e ka shkruar, unë kam ditur e i kam shku në shtëpi dhe i kam thënë ama përgjigjen për komunikatën 59. Ka thënë brenda një muaj, babai i tij, ta jap përgjigjen. Kurrë s’e ka dhënë përgjigjen…Nuk e ka dhënë përgjigjen, se ka menduar ‘Jasharët, i likuiduan’, ky njerëzit e vdekur i ka dashtë edhe i ka përmendë, jo të gjallët. E ne jemi gjallë. Ka menduar edhe neve na ka likuidu, po jemi këtu dhe na ka ruajtur zoti që ta themi të vërtetën dhe ta shkruajmë të vërtetën e jo rrenën”, ka thënë dëshmitari.