Deri në fund të vitit pritet të humbin vendin e punës mbi 100 mijë persona në sektorin privat

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se faturën kryesore të pandemisë po e paguajnë punëtorët e këtij sektori. Azemi në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se deri në fundvit do të ketë mbi 100 mijë persona do ta humbin vendin e punës.

“Është një çështje shumë e rëndë që do të na godas edhe më shumë, por në fakt faturën përfundimtare në këtë gjendje çfarë jemi po e paguajnë vet punëtorët e sektorit privat. Deri në vit të ri do të ketë mbi 100 mijë vende të punës të humbura”, ka thënë Azemi për Ekonomia Online. “…kemi pagat pothuajse dyfish më të vogla, largim masiv të punëtoreve, zvogëlim të pagave dhe ne jemi ata që po e bëjmë derisa pronarët e kompanive po them edhe shteti kanë krijuar një kapital dhe ata janë të gatshëm të qëndrojnë ndoshta edhe me vite të tëra sepse kanë një kapital të grumbulluar”.

Azemi ka theksuar se punëtorët nga ky sektor me pagën prej 170 euro mezi po mbijetojnë.

“Goditja në sektorin privat ka filluar edhe pa qenë pandemia këtu sepse ne kemi qenë të goditur dhe prapë jemi. Ne jemi në minimum nuk kemi ku shkojmë më tutje”.

“Mezi po mbijetojmë me një pagë 170 euro faktikisht ne po punojmë, pjesa dërmuese e punëtorëve të sektorit privat po punojnë që ndoshta nesër do të bëhet mirë përndryshe sot për sot kemi një pjesë bukur të madhe të sektorit privat që më shumë janë duke shpenzuar për të shkuar deri në vendin e punës se sa që përfiton në fund të muajit”, ka theksuar ai.

Azemi ka qenë kritik ndaj gastromomëve duke thënë se mbi 70 për qind e punëtorëve të tyre kanë qenë pa kontrata pune.