Deklaratave të kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurtit, se opozita nuk ka ditur ta kritikojë gjatë mandatit të tij qeverisës i është përgjigjur edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. Ajo ka thënë se partia e saj e ka kritikuar Qeverinë kur vendimet kanë afektuar interesat publike dhe nacionale.
“Së pari, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet ta kuptojë se Qeveria është shkarkuar ende pa u konsoliduar në qeverisje. Në një mënyrë të gjithë e dimë dhe pajtohemi se kërkohet ai 100 ditëshi për një ekzekutiv që të konsolidohet në qeverisje dhe ne e kemi respektuar këtë normë, nëse mund të themi, për t’i lejuar të marrë frymë Qeverisë së re”, ka thënë Deliu-Kodra.
Anëtarja e kryesisë së PDK-së tha se partia e saj e ka kritikuar Qeverinë për buxhetin, por edhe për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Por, siç e di edhe Kurti edhe i gjithë opinioni, ky konstruktivitet yni ka vlejtur vetëm në raport me politikat e përgjithshme qeverisëse dhe ne kemi qenë të fuqishëm në reagim kur vendimet e Qeverisë kanë afektuar interesat publike dhe ato nacionale, siç ju kujtohet rasti me buxhetin, pastaj me pasivitetin e Qeverisë në ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për parandalimin e infektimeve të para me koronavirus dhe sidomos kërcënimi i marrëdhënieve tona me SHBA-të”, ka thënë Deliu Kodra.
Deliu-Kodra ka përmendur edhe prishjen e koalicionit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku thotë se prishja e tij krijoi një situatë të rrezikshme në vend.
“Sa i përket aspektit të mocionit, PDK nuk ka kontribuar në asnjë formë në rezultimin e tij, as në shkaktimin e krizës as në iniciativën politike më pas për ta konkretizuar mocionin me mbledhjen e nënshkrimeve nga deputetët. Por, me thellimin e krizës politike e sidomos duhet veçuar eskalimin në armiqësi të raporteve mes partnerëve qeverisës, u krijua një situatë e rrezikshme institucionale për t’u toleruar”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra tha se Kurti ka thelluar klimën politike brenda Qeverisë, në kohën e pandemisë kur sipas saj do duhej të kishte stabilitet institucional.
“Koha sot është dëshmitare se ne e kem votuar mocionin pa asnjë interes vetanak politik, por thjesht për faktin se ajo situatë e krijuar kërkonte një rrugëdalje emergjente. Qeveria e mbetur Kurti në vend se të tregonte shenja të rikuperimit të saj, po e përsëris, sidomos në këtë kohë të nevojës imediate për stabilitetet qeveritar e institucional, ai (Kurti) vetëm po e thellonte dhe armiqësonte klimën politike brenda Qeverisë duke shkaktuar pasoja të rënda në menaxhimin efektiv të pandemisë”, ka deklaruar ajo.
Shefi në detyrë i Qeverisë së Kosovës, një natë më parë në “DPT te Fidani” në T7 tha se Lëvizja Vetëvendosje e bën më mirë edhe qeverisjen edhe opozitën.
Ai tha se opozita nuk e ka kritikuar gjatë kohës kur ka qeverisur. Sipas Kurtit, opozita vetëm ka bërtitur kundër tij, por nuk e ka kritikuar.
“Dështim, mashtrim, gënjeshtër, është një lloj bërtitje kundër neve, pa kritikë tamam, unë nuk po shoh kritikë. Lëvizja Vetëvendosje si opozitë ka marrë aksione radikale për kah tema, aksioni radikal ka qenë i paraprirë nga një kritikë e stërholluar. Kritikë ndaj qeverisjes tonë nuk po shoh, po shoh sulme e akuza nga ata që nuk po duan ta kuptojnë se ardhmëria në Kosovë ka një datë, ajo është 6 qershori”, tha Kurti.
Ndaj këtyre deklaratave të Kurtit sot ka reaguar edhe nënkryetari i AAK’së, Muharrem Nitaj.
Nitaj ka thënë se Kurti ka qeverisur aq keq sa nuk pati nevojë poër kritikën e opozitës.
Si mund të kritikojë një opozitë një kryeministër që përmbyset për më pak se 50 ditë. Ne e kemi pas vendosur që të mos e kritikojmë, bile në 100 ditët e para, por qe do që ai qeverisi aq keq, sa që nuk kishte as nevojë për kritikën e opozitës”, ka thënë Nitaj.
Nitaj po thotë se shkarkimi i shpejtë i Kurtit nuk i la kohë opozitës që ta kritikojë.
“Ka të drejtë kryeministri i shkarkuar që opozita nuk e ka kritikuar mjaftueshëm. Por ai nuk i dha as kohë opozitës ta kritikonte, sepse hala pa e marrë mirë detyrën ra prej pushtetit”, ka deklaruar Nitaj.
Albin Kurti u zgjodh kryeministër më 3 shkurt të këtij viti, pas koalicionit që kishte lidhur me LDK’në e Isa Mustafës.
Por qeverisja e tij nuk zgjati më shumë se 50 ditë.
Ndaj Kurtit u nis mocioni mosbesues i cili u votua me 82 vota për, në Kuvendin e Kosovës me 25 mars.
Përplasjet në koalicionin qeverisës nisën kur Kryeministri Kurti refuzoi të hiqte taksën dhe të mos vendoste reciprocitet ndaj Serbisë ashtu siç kërkonin amerikanët. Ndërsa, kur Kurti shkarkoi Agim Veliun nga pozita e Ministrit erdhi edhe fundi i Qeverisë, duke nisur kështu LDK mocionin e mosbesimit.