Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë disa replika të ashpra me ministren e Integrimeve Evropiane, Jadranka Joksimoviq dhe me shefin e Grupit Parlamentar të SNS-së, Aleksandar Martinoviq.
Kamberi ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook fjalimin ku dëgjohet duke replikuar me ministren Joskimoviq.
“Pjesëmarrja ime në parlament është rezultat i pjesëmarrjes në zgjedhje dhe përkrahjes së qytetarëve. Demokracia e as shteti nuk më kanë dhënë dhuratë këtë mandat.Nuk më keni falë ju asgjë.
Nuk është kjo e drejtë të cilën me zemërgjerësi na ka fal shteti. Nëse të drejtën time që të flas lirshëm e konsideroni si rezultat të jashtëzakonshëm të demokracisë, atëherë, zonja dhe zotërinj, ju keni probleme serioze me demokracinë. E nëse po flisni për Bujanocin dhe mospërfshirjen e partive politike serbe në shumicën e re, kujtoni Medvegjën, ku për herë të parë në vitin 2018 i keni përjashtuar shqiptarët nga qeverisja lokale”, ka thënë Kamberi, transmeton Telegrafi.
Më tej, ai ka thënë “Ju nuk e keni hallin e serbëve të Bujanocit, ju e keni hallin e SNS-it në opozitë”.