Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka kritikuar përsëri Qeverinë e Kosovës, duke thënë se ka dështuar në procesin e vaksinimit.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se objektivi për të vaksinuar 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit ka dështuar dhe se për këtë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duhet të japë llogari dhe dorëheqje, njofton Klan Kosova.
Madje, ai ka thënë se Kurti duhet ta shkarkojë atë.
“Për dështim të programit të vaksinimit, për dështim të vaksinimit masiv, ministri i shëndetësisë Arben Vitia do të duhej të japë llogari dhe të dorëhiqet. Nëse Arben Vitia për shkak të dështimit në realizim të vaksinimit masiv nuk jep dorëheqje, atëherë Albin Kurti duhet ta shkarkojë atë, përndryshe do të jetë bashkëpërgjegjës për këtë dështim”, shkroi Haxhiu.
Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk po realizon premtimet e dhëna.
“Situata me pandeminë COVID-19 po shkon drejt përkqësimit për shkak të dështimit të Qeverisë së Kosovës në procesin e vaksinimit. Objektivi i Qeverisë së Kosovës për të vaksinuar 60% të qytetarëve deri në fund të vitit ishte gabim në planifikim prandaj edhe vlerësohet si proces i dështuar”, shtoi ai.