Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ylber Jasharit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj Bekim Baftijarajt i akuzuar për punime ndërtimore të kundërligjshme, lidhur me rastin e shembjes së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, ku për pasojë ishte lënduar një qytetare. Jashari u dënua me tre vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë, kurse Baftijaraj u dënua me dy vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi Gëzim Ademi.
Sipas aktgjykimit, i pandehuri Jashari për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” u dënua me tre vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë, kurse i pandehuri Baftijaraj për veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme”, u dënua me dy vjet burgim.
Të njëjtit obligohen që të paguajnë edhe kompensimin e buxhetit të shtetit në vlerën e dëmit të shkaktuar prej 36 mijë e 450 euro e 29 centë.
Dy të akuzuarit obligohen të paguajnë nga 50 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe nga 50 euro për fondin e kompensimit të viktimave.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 20 janar 2025, Ylber Jashari akuzohej se nga 11 gushti 2023 deri më 18 janar 2024 në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e menaxherit të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, në vlerë totale prej 386 mijë e 96 euro e 20 centë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i kalon kompetencat e tij, duke i mundësuar të përfitojë kundërligjshëm materialisht kompanisë “NBT ING” Sh.p.k dhe duke e dëmtuar buxhetin e Komunës në shumë 36 mijë e 450 euro e 29 centë.
Me këtë, akuzohej për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par 2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Kurse, Bekim Baftijaraj akuzohej se më 11 gusht 2023 e deri më 18 janar 2024, në ndërtesën Kadastrale të Komunës së Prishtinës, në cilësinë e përgjegjësit të kompanisë “NBT ING” Sh.p.k., i cili ishte i ngarkuar me kryerjen e punimeve, të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore të kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Baftijaraj me rastin e punimeve “Rikonstruimi i kulmit te objektit të Komunës se re”, veproi në kundërshtim me standardet profesionale dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratën për sanimin e kulmit të ndërtesës, ku gjatë ekzekutimit të kësaj kontrate ka kryer punë të tjera e jo ato sikur pozicionet 2.2, 2.3, 5.1, 5.13 dhe 5.15 të kontratës se lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës nja pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës se re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth duke lënduar rëndë të dëmtuarën E.U., si dhe janë shkaktuar dëme materiale në katër vetura të parkuara përreth.
Me këtë, Baftijaraj ngarkohej se ka kryer veprën penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” na neni 356, par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/