Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, Zoran Vukotiqin, për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë, raporton Gazeta Stop.
Pas shpalljes së aktgjykimit, ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
“Sot, për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 10 vite burgim kriminelin, Zoran Vukotic për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës. Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë!”, ka shkruar Haxhiu.