Telasheve të shumta në rrugën “Muharrem Fejza’’ të lagjes “Mati’’ në Prishtinë është shtuar edhe dëmtimi i gypit të ujërave të zeza në rrugën “Uran Ajeti’’.
Shkak i këtij dëmtimi, sipas banorëve, është bërë pesha e rëndë e makinerive ndërtuese të cilat kalojnë nëpër rrugët e lagjes, derisa ujërat derdhen nëpër tërë rrugën kryesore.
Përfaqësuesi i banorëve të lagjes “Mati”, Dren Shahini shton se nga gjendja e krijuar, banorëve të rrugës “Muharrem Fejza’’ dhe lagjes “Mati’’ në përgjithësi po u pamundësohet qëndrimi aty, raporton KTV.
Të shqetësuar me gjendjen shprehen edhe banorë të tjerë të lagjes.
Televizioni ka kontaktuar me drejtorin për investime kapitale në Prishtinë, Gëzim Mehmeti, i cili nuk ka pranuar të deklarohet për këtë problem. Mehmeti ka rekomanduar televizionin që t’i referohet përgjigjes së Autoritetit Rregullator për Shërbime të Ujit dhe ka thënë se përgjegjësinë e bart KRU “Prishtina’’.
Megjithatë, në përgjigjen e ARRU-së tregohen vetëm përgjegjësitë e përgjithshme që KRU “Prishtina” i mban si institucion, pa iu referuar problemit për të cilin është interesuar televizioni.
Ndërsa nga Ujësjellësi thonë se përgjegjësia për ndërrimin e gypave i takon komunës, për shkak edhe të dëmtimeve që bëhen nga ndërtimet në këtë zonë.
“Në rrugën ‘Muharrem Fejza’ hasim në probleme shpeshherë, sidomos me zhbllokimin e ujëmbledhësve të kanalizimit. Aq shpesh jemi aty, sa që edhe fokusi i punës së ekipeve të mirëmbajtjes se rrjetit të kanalizimit përqendrohet në këtë lagje. Punëtorët tanë thuajse çdo ditë janë aty dhe merren me zhbllokime kanalizimesh. E kuptojmë shqetësimin e qytetarëve të asaj zone, sepse kanë shumë probleme, ne u kemi dalë në ndihmë çdo herë. Mirëpo, ne e kemi obligim zhbllokimin dhe pastrimin e pusetave, por jo edhe ndërtimin e rrjetit te kanalizimit”, ka thënë zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.
Sipas tyre, zgjidhjet e telasheve për këta banorë duhet të kryhen nga komuna, pasi që zgjidhjet e ofruara nga ujësjellësi janë të përkohshme.