Protesta është organizuar në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Naim Sadiku nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se përmes protestës shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me pezullimin e licencës së Klan Kosova.
“Përmes kësaj proteste si AGK shprehem pakënaqësi per pezullimin e licencës për Klan Kosova. Gazetarët janë përballur me një fushatë të egër gjatë kësaj kohe nga partia në pushtet. Si AGK kërkojmë që gjykata ta trajton në mënyrë të drejtë këtë çështje”, tha ai.
Ndryshe, sot Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka dalë me një sqarim sa i përket rastit të mediumit Klan Kosova.
MINT ka njoftuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit në dispozicion për Klan Kosovën Sh.P.K., ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
“Kjo, pasi që Komisioni ka siguruar dokumentacionin aktual nga institucioni përkatës në Maqedoninë e Veriut, për “Pronarët e Vërtetë të Subjektit”, në të cilin dokumentacion ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë”, thuhet në njoftimin e MINT.
Ministria më tej shton se në bazë të këtij dokumentacioni, Komisioni ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala në procedurë, duke konfirmuar të njëjtën shkelje të Kushtetutës që e ka konstatuar ARBK në shkallën e parë.
Reklama
“Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje “teknike””, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/