Del raporti i ZRRE – zbulohet pse u dënua KEK me 3.2 milionë euro

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka gjobitur me 3.2 milionë euro Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Vendimi është marrë të premten, në seancën e IV-ët të Bordit për këtë vit.

“Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE.

Gjoba ndaj KEK-ut erdhi pasi kjo ndërmarrje bëri tregti të energjisë elektrike me kompani që nuk janë të licencuara.

Në raportin e zbuluar nga ZRRE, zbulohet se KEK ka nënshkruar Kontratë Kornizë me kompaninë sllovene “Holding Slovenske Elektrarne d.o.o” e cila nuk ka pasur licencë që i njihet në Kosovë.

“KEK ka nënshkruar Kontrata Kornizë me ndërmarrjet tё cilat nuk janë tё licencuara nё Kosovё, respektivisht nuk i njihet licenca e lёshuar nga vendet pёrkatёse, sipas parimit tё reciprocitetit. Bazuar nё kёtё tё gjetur, KEK nuk ka vepruar nё pajtueshmёri me neni 28, par.1 dhe par. 2 dhe neni 30, par.1 tё Ligjit pёr Rregullatorin e Energjisё, neni 32, par.3 tё Ligjit për Energjinë Elektrike, neni 2, par. 2.1.2, 2.1.3 dhe 2.1.6 tё Rregullave tё Tregut, neni 8, par. 1 tё Procedurёs pёr Tregtimin e Energjisё Elektrike”, thuhet në raportin e ZRRE, shkruan Gazeta Insajderi. 

Sipas raportit, bazuar në legjislacionin në fuqi, aktiviteti i furnizimit dhe tregtimit me energji elektrike mund të ushtrohen vetëm me Licensë të lëshuar nga ZRRE për subjektet juridike që janë të regjistruara në Kosovë, duke përfshirë edhe mundësinë që sipas parimit të reciprocitetit këto aktivitete të lejohen edhe pa Licensat e ZRRE-së.