Dekreti i Thaçit për Qeverinë zvarrit dërgimin e lëndës në Kushtetuese

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka bërë ende publike letrën zyrtare me të cilën i kërkon Lidhjes Demokratike të Kosovës nisjen e procesit politik për formimin e qeverisë së re. Kjo letër, vlerësohet se ka rëndësi jo vetëm politike, por edhe kushtetuese-juridike, pasi që me publikimin e saj, çështja pritet pastaj të kalojë për interpretim dhe aktgjykim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Një veprim të tillë, e ka paralajmëruar vet kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili në dy-tri raste ka deklaruar se sapo ta ketë në dorë shkresën zyrtare të presidentit, ai me ekipin e tij ligjor, do t’i drejtohen Gjykatës, duke pretenduar se presidenti po e shkel Kushtetutën duke ia ofruar mandatin LDK-së për formimin e qeverisë dhe anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve, përkatësisht Lëvizjen Vetëvendosje.

Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes dhe ministrja e Drejtësisë në qeverinë në largim, Albulena Haxhiu ka shkruar në Facebook në lidhje me letrën e presidentit e cila nuk është bërë ende publike.

“Çka u bë tash? Pse nuk e publikojnë këtë shkresë? Pse ky terr informativ? Pse kjo mungesë absolute e transparencës?”, ka shkruar Haxhiu, duke rikujtuar se javët e kaluara të gjitha letrat që i drejtoheshin liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti me të cilat i kërkohet ta publikonte emrin e mandatarit, bëheshin publike.

“Meqë Presidenti është kaq i sigurt për veprimet e veta, le të urdhërojë e ta publikojë. E njëjta vlen edhe për kryetarin e LDK-së”, ka shkruar ajo, duke nënvizuar se presidenti dhe kreu i LDK-së “janë të vetëdijshëm për arbitraritetin e tyre dhe se kjo është shkelje e Kushtetutës me paramendim”.

Letra apo shkresa e Thaçit dërguar LDK-së do të duhej të ishte publike, thotë analisti politik dhe njohësi i aspekteve juridike-kushtetuese nga Demokraci Plus, Albert Krasniqi.

Ai tha po ashtu se Vetëvendosje mund të kontestojë veprimet e presidentit edhe pa letrën apo dekretin e tij me të cilën i jep të drejtën LDK-së të formojë qeverinë.

“Konsideroj që edhe veprimet e presidentit mund të kontestohen pa pasur nevojë që të ketë një dekret nga ana e tij, sepse Kushtetuta e thotë edhe një gjë të tillë”, thekson Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

“Kështu që në rast se Vetëvendosje arrin që ta dërgojë më herët kërkesën për një interpretim në Gjykatën Kushtetuese, nga praktikat e kaluara kur është kërkuar nga Gjykata efekti i pezullimit të vendimeve, ajo ka marrë vendim brenda pesë ditëve nga pranimi i lëndës”, thekson ai.

Në këtë rast, Krasniqi thotë se mund të supozohet që Gjykata Kushtetuese do të merrte një vendim për të pezulluar vendimmarrjen në Kuvend për zgjedhjen e kryeministrit të ri, çka do të sillte si efekt që qeveria Kurti të mbeste në detyrë deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

“Por, në rast se Vetëvendosje nuk e dërgon paraprakisht lëndën në Gjykatë dhe Kuvendi e zgjedh kryeministrin e ri, atëherë Kurti duhet t’ia lironte zyrën kryeministrit të ri, sepse do të kishte një vendim nga Kuvendi dhe kështu LDK me qeverinë e saj do të vinte në pushtet dhe mandej do të pritet derisa Gjykata Kushtetuese të merr një vendim mbi bazën e një kërkesë të Vetëvendosjes”, thekson Krasniqi.

Ai vë në pah rëndësinë që ka zënia e hapit se kush ndërmerr veprimin së pari.

“Konsideroj se Kuvendi mund të shkojë me vendim, nëse ka një kërkesë të presidentit për zgjedhjen e mandatarit, por edhe të ketë veprime pastaj nga Vetëvendosja në Gjykatën Kushtetuese”, thotë ai.

Përpos Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me raportin dhe rolin e presidentit në procesin e formimit të Qeverisë, Zyra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, paralajmëron se do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.

“Jemi duke shqyrtuar format se si dhe kohën se kur një gjë e tillë mund të ndodhë”, kanë thënë nga Zyra e Kryeministrit.

Në anën tjetër, LDK, përmes zyrtarëve të saj, ka përsëritur edhe të hënën se është në fazën përmbyllëse të negociatave me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe pakicat jo serbe për shpalljen e koalicionit të ri qeverisës. Ndërkaq mbetet ende e paqartë nëse pjesë e koalicionit do të jetë edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, e cila përfaqësohet me dy deputetë në Kuvend. Sipas LDK-së, votimi në Kuvend për qeverinë e re do të ndodhë këtë javë.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë për televizionin publik se në qeverinë e re, LDK do të marrë 7 ministri, AAK-ja 4, Nisma Socialdemokrate 2, kurse partitë nga radhët e pakicave ministritë tjera. Por, LDK nuk ka treguar ende se sa do të jetë numri i ministrive në qeverinë e re. Qeveria aktuale në detyrë, ka 15 ministri.

Kurse në lidhje me parashikimet se LDK mund të ketë vështirësi t’i sigurojë 61 vota në Kuvend për formimin e qeverisë, Selmanaj ka thënë se pret që qeveria e re të mbështetet nga 67 deputetë.

Qeveria aktuale në detyrë e kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar me mocion mosbesimi në Kuvend më 25 mars, ende pa i mbushur dy muaj të funksionimit të saj. Që atëherë, presidenti i Kosovës i ka nisur konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re.

Më 22 prill, presidenti Thaçi ka konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, përkundër pesë thirrjeve të tij, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia ka kaluar LDK-së. /Rel/