Të akuzuarit për vjedhjen e dy milionë eurove nga Thesari i shtetit, Labinot Gruda dhe Kadri Shala, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në këtë rast, të dy ngarkohen se i kanë shkaktuar dëm buxhetit në vlerë prej më shumë se dy milionë eurosh.
Të akuzuarit s’e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u ngarkohen, ndërsa Shala ka kërkuar mundësinë që për deklarim të fajësisë të deklarohet edhe në fazat tjera.
Gjykatësi i rastit, Arben Hoti, ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të Shalës që t’i ndërpritet paraburgimi e t’i caktohet arresti shtëpiak.
Më 12 tetor 2021, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën ndaj dy të pandehurve. Ata akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrje në sistemet kompjuterike”, “Vjedhje e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë”. /BetimipërDrejtësi/