Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka vizituar komunën e Mitrovicës, ndërsa duke folur për sigurinë në rajon tha se Serbia me fjalë ka zgjedhur rrugën evropiane, por “me vepra është në rrugën e Putinit”.
Presidentja Osmani e pyetur për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, rreth çështjes së armatimit tha se nuk pret asgjë nga një njeri që e përkrah kriminelin e luftës, Sllobodan Millosheviqin.
“Nuk pres asgjë nga një njeri që e përkrah Millosheviqin”, u shpreh Osmani gjatë një konference për media të mbajtur në Mitrovicë, bashkë me kryetarin e kësaj komune, Bedri Hamzën.
“Akoma nuk e ka dënuar asnjë nga krimet e Millosheviqit. Ne një ndër masakrat do ta përkujtojmë në Mitrovicë, deri në mes të qershorit ka përkujtime të masakrave. Një njeri që e vazhdon mendësinë e Millosheviqit, nuk presim të flasë me gjuhë të argumentuar”, shtoi ajo.
Osmani foli edhe për armatimin e Serbisë, duke e quajtur shqetësuese, pasi sipas saj, Serbia nuk është e interesuar për stabilitet.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë kësaj konference ka deklaruar se është interesuar që sa më parë të vizitojë edhe komunat në veri të vendit. Ajo ka theksuar se në këtë pjesë ka probleme të sundimit të ligjit, të cilat janë shkaktuar nga banda ilegale të financuara dhe mbështetura nga Serbia
Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, duke ju kërkuar ta lënë Serbinë të qetë, pasi këta dy të fundit e akuzuan shtetin fqinj për blerjen armëve nga Kina.
“Lëreni Serbinë të qetë dhe mos e mashtroni opinionin. Serbia do ta ruajë paqen dhe stabilitetin dhe ne jemi krenarë për faktin se vetë duam ta mbrojmë vendin tonë”, ishte shprehur Vuçiq, në një konferencë për media.